Organizatorët e marshit “Kosova po pret” u bëjnë thirrje Kurtit, Hamzës, Abdixhikut dhe Gjinit t’u bashkohen më 12 shtator - NACIONALE

Organizatorët e marshit “Kosova po pret” u bëjnë thirrje Kurtit, Hamzës, Abdixhikut dhe Gjinit t’u bashkohen më 12 shtator

2 orë më parë

nga NACIONALE

Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”.

Marshi do të mbahet katër ditë para shpalljes së verdiktit nga Dhomat e Specializuara në Hagë për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, gjatë një konference për media kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe do ta pasojnë marshin.

Ata kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe politike, duke ftuar edhe liderët e katër partive më të mëdha shqiptare në Kosovë.

“I ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e katër partive më të mëdha në vend, z. Kurti, z. Hamza, z. Abdixhiku, z. Gjini, që të bëhen pjesë e Marshit për Liri. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, pa përjashtim”, tha Tasholli.

Ai theksoi se pjesëmarrja e liderëve politikë synohet të jetë në funksion të Kosovës dhe jo të fushatës partiake.

“I ftojmë këta të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në Marshin për Liri. Jo për të bërë fushatë. Jo për të ngritur flamuj partiakë. Por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, u shpreh ai.

Organizatorët kanë paralajmëruar se aktivitetet do të zhvillohen edhe në ditët para dhe pas marshit, ndërsa kanë përsëritur thirrjen për pjesëmarrje pa dallime politike.

Lajme të ngjashme