Pesë ditë pa ushqim, dy peshkatarë meksikanë shpëtohen pasi kishin qëndruar mbi një frigorifer - NACIONALE

Pesë ditë pa ushqim, dy peshkatarë meksikanë shpëtohen pasi kishin qëndruar mbi një frigorifer

3 orë më parë

nga NACIONALE

Dy peshkatarë u shpëtuan të mërkurën, pasi valët e detit i kishin larguar më shumë se 160 kilometra nga bregdeti i Meksikës pa ushqim dhe pije për pesë ditë, njoftoi forca detare meksikane.

Përpjekjet për kërkim-shpëtim kishin nisur më 14 gusht, kur kompania e peshkimit kishte dërguar një thirrje emergjente, duke thënë se i kishte humbur kontakti me peshkatarët 53 dhe 32-vjeçar, raporton televizioni CNN.

Forca detare meksikane zhvilloi kërkime në një sipërfaqe të madhe të Oqeanit Paqësor përmes ujit e ajrit, duke i gjetur më në fund dy burrat që po qëndronin mbi një frigorifer të madh peshku rreth 240 kilometra larg bregdetit të Chiapas, shtet jugor i Meksikës që kufizohet me Guatemalën.

Dy burrat u dërguan me helikopter deri në port dhe morën përkujdesje mjekësore para se të ribashkoheshin me familjet e tyre, tha forca detare meksikane.

Kjo forcë nuk i identifikoi dy peshkatarët dhe nuk është e qartë se si barka e tyre u bë e papërdorshme.

“Nuk mendonim se do t’u mbijetonim këtyre ditëve. Gjëja e vetme që mund të bënim ishte t’i luteshim Zotit dhe të prisnim ndihmë nga të gjithë ju këtu në forcën detare” – tha njëri nga peshkatarët në një video të publikuar nga marina meksikane.

“Ishte gjëja më e vështirë që mund të imagjinohet. Nuk do t’ia dëshiroja askujt, as armikut tim më të keq” – tha peshkatari tjetër, duke shtuar se nuk kishin ngrënë e as pirë “absolutisht asgjë” për pesë ditë në det.

Lajme të ngjashme