"Do të jemi në Kuvend", PDK-ja i shkruan sërish Deharit: Kërkohet vazhdimi i seancës konstituive më 22 gusht
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se Grupi Parlamentar i saj do të jetë nesër, më 22 gusht, nga ora 11:00 në sallën e Kuvendit të Kosovës, në vazhdën e kërkesës për vazhdimin e seancës konstituive.
Gjatë ditës së sotme, PDK-ja i ka dërguar sërish letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, duke kërkuar vazhdimin e seancës.
Në letrën drejtuar Deharit, deputetët e PDK-së kanë shprehur shqetësimin për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar kushtetues, duke e cilësuar situatën si shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe mosrespektim të akteve të Gjykatës Kushtetuese.
PDK-ja ka vlerësuar se mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit po e thellon edhe më tej krizën institucionale.
“Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, thuhet në letrën e PDK-së.
Përmes kësaj kërkese, PDK-ja ka insistuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme.
Kjo është një tjetër kërkesë e PDK-së drejtuar Deharit për vazhdimin e seancës konstituive. Megjithatë, kërkesat e saj deri më tani nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
Dehari kishte deklaruar më herët se nuk do ta thërriste seancën pa një marrëveshje paraprake ndërmjet subjekteve politike. Ai kishte thënë se, pa një marrëveshje politike, nuk e sheh kuptimin e vazhdimit të seancës, duke argumentuar se një veprim i tillë mund ta tensiononte situatën dhe të çonte edhe në përplasje fizike në Kuvend.

Duhet theksuar se, tash e disa ditë, PDK-ja është duke ndërmarrë aksione para Qeverisë dhe Kuvendit, si formë proteste dhe revolte ndaj kryeministrit në detyrë dhe liderit të VV-së, Albin Kurti, për vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit.
Deputetëve të PDK-së, ndërkohë u janë bashkuar edhe ata të Aleancës në këtë betejë kundër bllokimit institucional nga lideri i VV-së dhe kryesuesi Dehari, të cilët nuk po e thërrasin vazhdimin e seancës konstituive, përkundër faktit se i kanë numrat.