Ndasitë në LDK dalin në dritë edhe në (mos)kritikë ndaj Kurtit për bllokimin edhe të mëtejmë të Kuvendit
Lidhja Demokratike e Kosovës sërish ka shfaqur ndasi në raport me ngjarjet e fundit me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, e cila i pati votat për zgjedhje të Kryetares së Kuvendit por vendosi të mos e konstituojë Kuvendin.
Pala marrëveshëse me Vetëvendosjen, Abdixhiku dhe “krahu” i tij në parti, s’kanë shqiptuar asnjë kritikë për kursin e Albin Kurtit i cili s’ua kaloi as propozimin për Nënkryetar të Kuvendit, post ky i cili i takon kushtetuetshmërisht partisë së dytë dhe të tretë parlamentare për nga pesha.
Përveç kësaj, afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës kanë kaluar qe më shumë se një muaj ndërsa partitë opozitare flasin për adresimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese për të sqaruar vlerën juridike të një seance konstitutive paskushtetuese.
Lumir Abdixhiku nuk dha as një koment pas shtyrjes së seancës konstitutive, as edhe kur Albin Kurti i Vetëvendosjes tha se nuk do t’u votojë Nënkryetarin pa pasur marrëveshje me të.

“Meqenëse u nevojitet mbështetja e mazhorancës, edhe për propozimet e tyre, le të jemi pozitiv dhe konstruktiv.”
“Duhet të kemi dakordim për nënkryetarët dhe shpresoj që ta arrij sa më parë me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun.”
Bedri Hamza tha se përfaqësimi në Kryesinë e Kuvendit është i përcaktuar me Kushtetutë dhe nuk mund të varet nga pëlqimi i subjekteve tjera.
“Është e rregulluar me Kushtetutë kujt i takojnë nënkryetarët”, deklaroi ai.
“Nuk është çështje emrash kjo. Nuk janë ata që e përcaktojnë kush ka me qenë nënkryetar nga radhët e PDK-së”, tha Hamza.
Abdixhiku u bë i gjallë vetëm për një takim me u.d ambasdoren amerikane, Anu Prattipati, me të cilën tha se foli për rëndësinë e kalimit “të situatës politike” në vend duke mos dhënë kualifikime bllokade apo zvarritje nga partia Vetëvendosje.
As bashkëpunëtorja e tij, tash kryesore, Vjosa Osmani, s’ka dalë me ndonjë qëndrim kundërshtues ndaj Vetëvendosjes për moskonstituimin e kuvendit.
Ndryshe nga Abdixhiku, të zëshëm në dënimin e kursit të Kurtit kanë qenë deputetë nga partia e tij, si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Ermal Sadiku.
Avdullah Hoti i LDK-së tha se moskonstituimi i Kuvendit nga Vetëvendosje është i qëllimshëm.
“Nuk pritet gjë tjetëer nga ta,” tha Hoti para gazetarëve.
Sipas tij, synimi është “për të çuar zgjedhjet me datën që atyre u konvenvon” dhe ikja nga problemet.
“Kryesorja mendoj ikja nga përgjegjësia prej Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit,” tha ai.
Hykmete Bajrami e LDK-së tha se tashmë është e qartë se kush po bllokon formimin e institucioneve.
“Kush po i bllokon institucionet? Sot besoj se e patë të gjithë”, shkroi ajo në Facebook.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e quajti dështimin e seancës “skenar të planifikuar” të Albin Kurtit dhe Listës Serbe.
“Është një maskaradë për ta zvarritur procesin ashtu siç u përshtatet atyre”, ka deklaruar ai.
Gjini ftoi edhe partitë e tjera opozitare të mos bëhen pjesë e procesit dhe tha se Aleanca e kishte paralajmëruar këtë skenar.
“Prej korrikut ju kam treguar që kjo ka për të ndodhur”, është shprehur Gjini.
Sipas tij, VV-ja synon zgjedhje të reja në fund të vitit, me afate që do të çonin drejt 27 dhjetorit.
“Ky nuk dëshiron të qeverisë, ky dëshiron të sundojë. Ky ka qenë skenar që nga fillimi,” tha ai.
Nga PDK-ja, Përparim Gruda tha se partia do të votonte “në çfarëdo forme” për Nënkryetarët, vetëm që të themelohej legjislatura.
“PDK voton çdo formë dhe çdo procedurë. Sepse është momenti historik 16 shtatori. Ne nuk mund të mos kemi kuvend më 16 shtator.”
Gruda tha se VV-ja kishte ardhur “për një lojë të radhës politike” dhe se “qëllimi është të mos e konstituojnë Kuvendit”.
Ramush Haradinaj i Aleancës pyeti çfarë e kishte penguar Vetëvendosjen t’i votonte më herët dy nënkryetarët shqiptarë, duke thënë se për këtë kishte pasur disa mundësi.
“Kanë pasur mundësi më 6 korrik, më 6 gusht dhe më 5 shtator. Tani, një ditë para kalimit të afatit, na tregojnë se ku jemi.”
“Kjo është tallje dhe ikje nga tema. Këta skenarë janë krijuar që të na nxjerrin tema të tjera dhe të fitojnë kohë.”
“I kanë pasur 62 vota. Pse nuk e kanë bërë më herët?”
Ai tha se loja është “të fitohet kohë” dhe se qëllimi është mbulimi i periudhës deri në tetor.
Haradinaj tha se Kurti po e zhvendos problemin nga kryeministri te presidenti dhe po e paraqet sikur të ishte hapur konkurs.
“Presidenti nuk zgjidhet me konkurs. Është funksion politik dhe kushtetues.”
Haradinaj tha se PDK-ja dhe LDK-ja kanë treguar gatishmëri për takime, ndërsa Aleanca nuk ka dashur të bëhet “mbulesë apo alibi Kurtit”.
“Sipas meje, skenari i tij është që vendi të shkojë në zgjedhje.”