Për herë të tretë radhazi dështon nisja e rigjykimit ndaj Agim Ademit
Ka dështuar fillimi i rigjykimit të presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, për sulm dhe kërcënim ndaj një personi, për shkak se mungoi i akuzuari tjetër në këtë rast, Muharrem Rama.
Kjo është hera e tretë radhazi që dështon nisja e rigjykimit të Ademit – i cili në fillim të këtij viti e fitoi një mandatë të dytë kontrovers në krye të shtëpisë së futbollit.
Ademi së bashku me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar atij para në vlerë prej 30 mijë euro ose një veturë luksoze “BMW X5”.
Sipas avokatit të tij mbrojtës Ramiz Krasniqi, Rama mungoi sepse “ndodhet në spital bashkë me prindërit e vet”.
“Unë në ora 09:34 kam marrë një sms nga i mbrojturi im, i cili shkruan se tani është te doktori se babën e ka të sëmurë, përndryshe ne kemi biseduar me të njëjtin dje dhe kemi qenë të përgatitur që sot të prezantojmë në seancë dhe të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor”, tha Krasniqi për “Betimin për Drejtësi”.
Seanca është shtyrë për 7 nëntor të këtij viti.
Pse po rigjykohet 60-vjeçari
Aktakuza ndaj Ademit dhe Ramës ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.
Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”.
Kjo veturë, sipas prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të padrejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtorë Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.
Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.
Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012. Kurse, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.
Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.
Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.
Lidhur me këtë kërkesa, Supremja në korrik të vitit 2020 vendosi që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

