UEFA e konfirmon për Gazetën Nacionale se e kishte pezulluar Agim Ademin në vitin 2020
UEFA e ka konfirmuar për Gazetën Nacionale se e kishte pezulluar presidentin e Federatës së Futbollit, Agim Ademi, nga ushtrimi i çdo aktiviteti që ndërlidhet me futbollin në vitin 2020, para se ta shfuqizonte më vonë atë vendim të Organit për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB).
Gazeta Nacionale e ka pyetur zyrën për media të shtëpisë së futbollit evropian, e cila konfirmoi se Ademi ka qenë i pezulluar përkohësisht.
“Organi për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB) i UEFA vendosi për këtë çështje më 20 gusht 2020. Megjithatë, ky vendim i CEDB -s nuk është më i vlefshëm ligjërisht, sepse ishte shfuqizuar nga një vendim tjetër i CEDB”, tha për Nacionalen UEFA.
Më 5 korrik të vitit 2019, Ademi ishte dënuar me 9 muaj burgim efektiv për detyrim në tentativë. Rreth 7 muaj më vonë, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e mësipërm duke e shpallur fajtor Ademin për detyrim në tentativë.
Por ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata Supreme në gusht të vitit 2020, e cila urdhëroi që gjykimi për këtë rast të nisë nga fillimi, pra nga shkalla e parë.
Pas këtij vendimi të Supremes, UEFA vendosi t’ia shfuqizojë pezullimin mbi dyvjeçar Ademit, duke qenë se ai nuk ishte më i dënuar. Por kjo nuk nënkupton se Ademi është i pastër në këtë rast, pasi aktakuza ndaj tij mbetet në fuqi dhe ai do të gjykohet sërish.
Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre. Pretendohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.
Por UEFA nuk deshi të komentojë rreth dyshimeve dhe akuzave për shkelje të rregullores së FFK-së, e cila rrezikon ta njollosë Kuvendin Zgjedhor të muajit të ardhshëm, vetëm duke treguar se është ftuar dhe e ka pranuar ftesën për të marrë pjesë si vëzhgues në këtë kuvend.
“UEFA është njoftuar zyrtarisht nga FFK-ja për datën e kuvendit zgjedhor dhe e ka pranuar ftesën për të marrë pjesë, të cilën natyrisht se do ta pranojmë”.
Ai po ashtu është nën hetime për dyshimet se e ka kurdisur një ndeshje të ekipit kombëtar U21 të Kosovës më 2016 dhe nën hetime në dy raste të tjera i dyshuar për sulm fizik ndaj mjekut të kombëtares, Mehmet Maxhuni, në Parkun e Gërmisë më 2019.
UEFA nuk ka dashur të përgjigjet rreth telasheve të Ademit me ligjin në vend dhe për rrezikun me të cilin mund të përballet Kosova nëse udhëhiqet nga një person i ndjekur penalisht.
“Nuk kemi koment tjetër për këtë çështje”, u përgjigj shkurtimisht UEFA.
Në zgjedhjet e 6 prillit, Ademi do të garojë kundër Gramoz Vokrrit, djalit të legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së.
Ademi – i cili e mori drejtimin e FFK-së më 2018 pas vdekjes së Vokrrit – nuk ka marrëdhënie të mira me Gramoz Vokrrin, i cili më 2019 ishte larguar nga federata për shkak të mospajtimeve me Ademin.