Në pritje të rigjykimit dhe nën hetime për kurdisje, Agim Ademi po e kërkon mandatin e dytë si kryetar i FFK-së
Agim Ademi është duke e kërkuar edhe një sundim të ri katërvjeçar si shef i futbollit kosovar midis telasheve me ligjin - që e kishin njollosur mandatin e tij të parë - si dhe polemikave të shkaktuara për thirrje të parakohshme të zgjedhjeve presidenciale brenda federatës dhe akuzave për shkelje të statutit të brendshëm.
Për më tepër, telashet atij iu shtuan në fillim të këtij viti, pasi Prokuroria e Shtetit konfirmoi nisjen e një hetimi ndaj Ademit nën dyshimet se “ai mund ta ketë kurdisur një ndeshje të Kombëtares U21 të Kosovës.”
Vendimi i FFK-së për të thirrur zgjedhje të reja pa ndonjë arsye ligjore, duke qenë se atij nuk i mbaron mandati katërvjeçar deri në korrik, ka shkaktuar shumë polemika në vend. Kjo po shihet si një përpjekje dëshpëruese e Ademit për ta ruajtur postin deri më 2026.
Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre.
Pretendohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.
Derisa ai po hetohet për dyshimet për shkelje të rënda në futboll, 60-vjeçari është në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë, e cila nuk ka të bëjë me futbollin dhe është zvarritur që prej vitit 2012.
Seanca gjyqësore në rigjykim kundër Ademit, i cili e mori drejtimin e federatës pas vdekjes së presidentit Fadil Vokrri më 2018, nuk do të caktohet deri pas përfundimit të grevës së gjykatave, ka konfirmuar për Gazetën Nacionale zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se për shkak se stafi administrativ i gjykatës është ne grevë, nuk është caktuar seanca lidhur me rastin në fjalë, seanca gjyqësore do të caktohet pas përfundimit të grevës”, ka thënë për Gashi për Gazetën Nacionale.
Nuk dihet kur do të përfundojë greva në Gjykatën Themelore - e cila do të merret me rastin e Ademit në shkallën e parë - që nënkupton se Ademi mund të ulet përsëri si president i shtëpisë së futbollit në bankën e të pandehurit nëse rizgjidhet më 4 prill.
Në këtë rast, përveç Ademit, i pandehur është edhe Muharrem Rama.
Kjo do të jetë hera e tretë që gjykata përpiqet ta sjellë Ademin në bankën e të akuzuarit që prej se rasti i tij u kthye në rigjykim.
Ademi kishte dështuar të paraqitej në dy seanca të rigjykimit që i ishin caktuar në vitin 2021, në mars dhe në tetor.
Rasti i rigjykimit
Më 5 korrik të vitit 2019, Agim Ademi ishte dënuar me 9 muaj burgim efektiv për detyrim në tentativë, ndërsa Muhamet Rama - po ashtu i akuzuar në këtë rast - ishte dënuar me 1 vit burgim efektiv.
Rreth 7 muaj më vonë, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e mësipërm duke i shpallur fajtorë të akuzuarit për detyrim në tentativë.
Por ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata Supreme, e cila urdhëroi që gjykimi për këtë rast të nisë nga fillimi, pra nga shkalla e parë.
Ademi akuzohet se ka kryer veprën penale në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator 2012. Ai nuk ishte president i FFK-së në kohën kur dyshohet ta ketë kryer veprën penale.
Në bazë të aktakuzës Ademi dhe Rama akuzohen se “në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit”.
Pika e dytë e aktakuzës ndaj tyre nënvizon “të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.