Rrahmani bëhet futbollisti i dytë i Kombëtares së Kosovës që prek 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Rrahmani bëhet futbollisti i dytë i Kombëtares së Kosovës që prek 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Amir Rrahmani së bashku me Napolin do të luajë në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, pas fitores së sotme të ekipit italian 4:2 ndaj Ajaxit. Ai është futbollisti i dytë i Kombëtares së Kosovës që arrin këtë cak, pas Edon Zhegrovës që luajti me Lillen në sfidën ndaj Chelseas vitin e kaluar.

Dikur ishte ëndërr të shihnim një lojtar që përfaqëson Kombëtaren e Kosovës të luajë në fazën e eliminimeve të Ligës së Kampionëve, kurse nga ky sezon futbollistik kjo është shndërruar në realitet, meqë skuadra e Amir Rrahmanit, Napoli, pas fitores së sotme 4:2 kundër Ajaxit siguroi kualifikimin në 1/8 e finales.

Në të kaluarën ka pasur lojtarë të ndryshëm me prejardhje nga Kosova që kanë arritur një objektiv të tillë, por të njëjtit nuk kanë përfaqësuar kurrë Kombëtaren e Kosovës. Amir Rrahmani do të jetë rasti i dytë në këtë drejtim.

Për fatin e tij të keq, mbrojtësi kosovar u lëndua të dielën kundër Cremoneses në udhëtim, duke ndier një lëndim në kofshën e këmbës së majtë. Një lëndim ky që sipas shtypit italian do ta lërë atë jashtë fushës së blertë për të paktën një muaj, ndërsa kohëzgjatja mund të mbërrijë deri në dy muaj.

Megjithatë, ai do të jetë në gatishmëri të Luciano Spallettit që të luajë 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve që janë në program në gjysmë të muajit shkurt.

Kundërshtari i Napolit do të mësohet më 7 nëntor, kur është paraparë edhe hedhja e shortit. Deri në këtë fazë, Napoli ka qenë skuadra me rendimentin më të mirë në këtë kompeticion.

Amir Rrahmani ka luajtur një rol të rëndësishëm në krejt këtë formë të mirë të ekipit të Spallettit. Fitorja 4:1 ndaj Liverpoolit, si dhe fitoret tjera emblematike si ajo në Glasgow ndaj Rangers 0:3 apo tjetra në Amsterdam 1:5 ndaj Ajaxit – kanë qenë edhe si rrjedhojë e një dyshe defansive të mirëbashkërenduar me Kim.

Njohësit e futbollit, ashtu sikur vetë shtypi i huaj, kanë thur elozhe vazhdimisht në drejtim të mbrojtësit 28-vjeçar për nivelin e paraqitjeve që ka vënë në pah gjatë këtyre ndeshjeve

Vetë Spalletti gjatë konferencës për shtyp dje shprehi keqardhje për lëndimin e Rrahmanit, duke e vlerësuar atë si të rëndësishëm për ekipin.

“Rrahmani u lëndua gjatë momentit kur ishte në pronësi të topit gjatë një aksioni. Gjëra që mund t’i ndodhin gjithësecilit. Na vjen keq. Për ne si skuadër humbja e Rrahmanit është e rëndësishme”, deklaroi ai.

Sot, në pamundësi që të llogariste në shërbimet e mbrojtësit 28-vjeç prishtinas, Luciano Spalletti inkuadroi brazilianin Juan Jesus në krah të Kim.

Mungesa e tij në një formë u vu re që sot, pasi kjo ishte hera e parë që Napoli pranoi më shumë se një gol në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Pikërisht në ditën kur mbrojtësi kosovar nuk ishte në fushë, ndodhi një gjë e tillë.

Ishte mbrojtësi që zëvendësoi Rrahmanin, Juan Jesus, ai që shkaktoi penallti në dëm të Brobbey, duke bërë që Bergwijn ta ngushtonte disavantazhin në 2:3.

Gjithsesi, përveç ndeshjeve të mbetura në Ligën e Kampionëve (ndaj Rangers dhe Liverpool), kapiteni i Kombëtares së Kosovës do t’i humb edhe disa ndeshje tjera në Serie A, aty ku Napoli është lider me 23 pikë. Bëhet fjalë për sfidat ndaj Bologna, Roma, Sassuolo, Atalanta, Empoli dhe Udinese. Gjithsejt gjashtë ndeshje në kampionat dhe dy në Ligën e Kampionëve.

Për fund, kujtojmë se Amir Rrahmani ka edhe dy vite tjera kontratë të vlefshme me Napolin. Ndërkohë, në bazë të asaj çfarë ka njoftuar shtypi italian, palët janë vënë në kontakt për të gjetur një ujdi të re rreth vazhdimit të kontratës edhe për disa sezone tjera.

Lajme të ngjashme