"Wow, çfarë lojtari...është klas": Si impresionoi Celina tifozët në debutimin me Stoke Cityn? (Video) - NACIONALE

"Wow, çfarë lojtari...është klas": Si impresionoi Celina tifozët në debutimin me Stoke Cityn? (Video)

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Tre ditë pasi u zyrtarizua si futbollisti më i ri i Stoke Cityt, Bersant Celina debutoi në Kupën FA, gjegjësisht në fitoren 3:1 kundër Stevenage, duke u kualifikuar në rrethin e 1/8 e finales. Paraqitja e tij në debutim ishte bindëse, saqë reaguan shumë tifozë të klubit anglez duke ndarë impresionimet e tyre.

Pas më pak se 72 orë prej zyrtarizimit të tij si lojtar i ri i Stoke Cityt, trajneri Alex Neil vendosi që ta inkuadrojë nga minuta e parë në ndeshjen e rrethit të 1/16 e finales të Kupës FA kundër Stevenage.

Celina, i cili e njeh mirë futbollin anglez pasi në të kaluarën periudhën më të ndritshme e ka kaluar aty, nuk hasi në pengesa të mëdha për të filluar që të lënte gjurmë.

Trajneri skocez atij ia besoi edhe ekzekutimin e këndorëve dhe ndërprerjeve të tjera. Në minutën e 3-të, pikërisht nga këndorja, ai u përfshi në golin që zhbllokoi shifrat e rezultatit. Harkimi i tij u devijua me kokë nga Wilmot, e më pastaj nga një prekje e dytë Brown e futi topin në rrjetë.

Këto ishin sinjalet e para që nisi t’i përçojë mesfushori kreativ kosovar. Dukej ishte i uritur për të bërë paraqitje të mirë.

Në minutën e 21-të, pas një tranzicioni të shpejtë të vendësve, Celina mori topin në një situatë të favorshme një kundër ajo. Pas një gjysmë finte dhe një lëvizje të mençur me këmbët, ai goditi mjaft bukur me këmbën e majtë drejt shtyllës së dytë të portës, por portieri mysafir bëri një pritje mahnitëse, duke mënjanuar pësimin e golit.

Edhe në pjesën e dytë Bersanti ishte në element të mirë të lojës. Ajo filloi me të njëjtën dinamikë nga ana e tij. Në minutën e 68-të, pasi pranoi mirë topin nga Campbell, Celina i gjendur në zonën e rreptësisë goditi pa menduar gjatë me këmbën e tij të djathtë. Ishte një devijim i lehtë i mbrojtësit të Stevenage ai që shpëtoi portën në rastin në fjalë.

Si rezultat i paraqitjes së mirë, përfaqësuesi kosovar qëndroi deri në fund të ndeshjes pa u zëvendësuar fare nga trajneri Neil. Në rrjetet sociale tifozët e Stoke Cityt lëvdëruan paraqitjen e tij, duke u ndarë mjaft të kënaqur.

"Isha sot në stadium. Celina është brilant", shkroi njëri nga tifozët e Stoke Cityt në "Twitter".

Sarah, një tjetër tifoze e skuadrës angleze u nda gjithashtu e ngazëllyer: "Celina, çfarë lojtari."

"Çfarë paraqitje. Gjithashtu, Celina...wow", komentoi një tjetër tifoz.

"Bersant Celina - lojtar klasi", shkroi Archie.

Shërbimet e tij i siguroi Stoke City të enjtën, duke nënshkruar kontratë gjashtë mujore në formë huazimi me të drejtë blerje pas përfundimit të sezonit. Kartonin e mesfushorit teknik kosovar e zotëron akoma Dijon deri në qershor të vitit 2024.

Skuadrës së drejtuar nga Neil i kanë mbetur edhe tetëmbëdhjetë (18) ndeshje për t’i zhvilluar në kampionat deri në përfundim të sezonit. Pikët që ndajnë me zonën e barazhit për plasman në Premierligë janë nëntë (9) për momentin.

Fillimisht klubi francez e kishte huazuar te Kasimpasa. Aty qëndroi për gjysmë sezoni. Futbollisti i kombëtares kosovare ka zhvilluar 19 paraqitje këtë sezon në të dy garat, kampionatin turk, respektivisht Kupën e Turqisë – ku ka shënuar një gol dhe një asist.

Lajme të ngjashme