Dy javë pasi debutoi me Clujin prin me driblime në Rumani: Si po i bën për vete rumunët Ermal Krasniqi? - NACIONALE

Dy javë pasi debutoi me Clujin prin me driblime në Rumani: Si po i bën për vete rumunët Ermal Krasniqi?

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Ermal Krasniqit i kanë mjaftuar tri ndeshje brenda dy javëve si lojtar i Clujit për t’i bërë për vete të gjithë në Rumani. Ish-sulmuesi i Ballkanit po prin edhe sa i përket driblimeve në kampionat. Karakteristikë që është më e forta e tij.

Ambientimi në futbollin rumun për Ermal Krasniqin nuk po del të jetë i vështirë. Sulmuesi malishevas në kohë rekord ka bindur trajnerin e Clujit që të llogaritë tek ai.

Loja një kundër një është tipari teknik më i fortë me të cilin veçohet sulmuesi 24-vjeçar. Falë shpejtësisë dhe shkathtësive të tij teknike, ai ka tërbuar mbrojtësit rumunë në kampionatin gjegjës.

Për shkak të paraqitjeve të mira që ka zhvilluar në tri ndeshjet e para me fanellën e Clujit, ai ka arritur që edhe me statistika të lërë gjurmë sa i përket driblimeve.

Aktualisht, ish-sulmuesi i Ballkanit, prin në kampionatin rumun sa i përket driblimeve të bëra përgjatë 90 minutave. Me mesatare prej 8,87 driblimeve për ndeshje lë mbrapa lojtarët tjerë në Superligën rumune.

Për shkak të nivelit të paraqitjeve që ka treguar, ai po merr vëmendje e pafundme të shtypit rumun, me artikuj të shumtë që i dedikohen, me qëllim të glorifikimit të tij si lojtar.

Pika më e fortë e skuadrës

Gjatë ndeshjeve të fundit Krasniqi ka qenë pika më e fortë e skuadrës së Cluj. Nga krahu që mbulon ai janë përqendruar shumica e aksioneve sulmuese.

Krasniqi falë angazhimit, rezultateve dhe përulësisë së treguar – ka arritur që të shndërrohet në një lojtar i cili mund t’i ndryshojë ekuilibrat e lojës. Trajneri Petrescu ia ka besuar 90 minutat në fushë në secilën prej tre ndeshjeve që është paraqitur.

Forma e mirë ka bërë që ai ta lë në bankën rezervë edhe njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, respektivisht Ciprian Deac. “10”-shi rumun i skuadrës ka përfunduar në stol si pasojë e rendimentit pozitiv të 24-vjeçarit kosovar.

Kështu, duke qenë gjithmonë proaktiv në stilin e vet të lojës, ka filluar të marrë edhe përgjegjësi të tjera, si ekzekutimi i goditjeve standarde. Për Clujin është transformuar në një aset tejet të çmuar në mobilizimin që po bën klubi drejt arritjes së synimit kryesor sezonal, që është stolisja me titullin kampion.

Aktualisht Farul Constanta zë pozitën e parë me 51 pikë, kurse Cluj pason në pozitën e dytë me një pikë më pak. Gjithashtu, Ermal Krasniqi me skuadrën e tij do të jetë i angazhuar në dy fronte gjatë pjesës pranverore.

Shkëlqimi në Ligën e Konferencës

Rumunët e kanë thënë hapur se besojnë fuqishëm te sulmuesi teknik nga Kosova edhe sa i përket dy ndeshjeve që i presin ata në Ligën e Konferencës, gjegjësisht në rrethin e 1/16 e finales kundër Lazios së Maurizio Sarrit. Ndeshje këto që do të zhvillohen në javën mes 16 dhe 23 shkurtit.

Kujtojmë se Krasniqi nënshkroi kontratë trevjeçare me Clujin gjatë afatit kalimtar dimëror. Ballkani inkasoi 300 mijë euro nga transferimi i tij.

Ndeshjet e Ballkanit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës kanë qenë ndihmesë e madhe për të që klubi rumun të interesohet për shërbimet e tij. Fakti që edhe Cluj ishte në grup me Ballkanin dhe se Krasniqi kishte demonstruar paraqitje të shkëlqyeshme ndaj tyre, ka bindur edhe më shumë drejtuesit rumunë që të lëviznin në drejtim të blerjes së kartonit të sulmuesit anësor kosovar.

Me t’u transferuar në gjigantin rumun gjithçka filloi mbarë. Qysh në ndeshjen e parë debutuese shënoi edhe golin e parë me fanellën e re. Kundër Farul ai mahniti opinionin futbolldashës rumun me paraqitjen e tij. Veçanërisht në pjesën e dytë ishte i pandalshëm, duke shënuar një gol dhe një asist.

Trajneri Petrescu është shprehur skeptik që ata do të kenë fuqinë që ta mbajnë në radhët e veta për shumë vite, duke thënë se shumë shpejt mund të lëvizë në drejtim të një kampionati më cilësor.

Lajme të ngjashme