Dy javë pas aktgjykimit dënues ndaj krerëve të UÇK-së, Universiteti i Prishtinës miraton deklaratë për luftën çlirimtare të Kosovës
Më në fund, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është bërë i gjallë në lidhje me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Vetëm dy javë pas shpalljes se këtij aktgjykimi, senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar një deklaratë për luftën çlirimtare të Kosovës.
Në deklaratën që është miratuar në mbledhjen e djeshme, Universiteti i Prishtinës ka shprehur bindjen e tij se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme, objektive dhe e mbështetur në prova.
Sipas kësaj deklarate, universiteti beson se drejtësia e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime kolektive.
“Në të njëjtën kohë, universiteti vlerëson se historia e luftës së Kosovës nuk mund të shkëputet nga konteksti politik, shoqëror dhe humanitar, në të cilin ajo u zhvillua. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive, si dhe të së drejtës për të jetuar i lirë nga represioni dhe dhuna. Kjo luftë u zhvillua në një kontekst të dhunës sistematike, dëbimeve masive dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, të shoqëruara me shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare. Këto zhvillime përbëjnë pjesë të dokumentuara të historisë së Kosovës dhe të kontekstit, në të cilin duhet të kuptohet lufta e saj për liri. Për rrjedhojë, çdo trajtim serioz i kësaj periudhe duhet ta marrë parasysh këtë realitet historik dhe humanitar. Mbështetja dhe ndërhyrja e NATO-s duhet të kuptohen në kontekstin e krizës humanitare, të dhunës së përhapur, të dëbimeve të popullsisë dhe të nevojës për mbrojtjen e saj”, thuhet nder të tjera në deklaratën e Universitetit të Prishtinës.