Mesataren për vrapim e ka më të mirë se lojtarët e Serie A - pse Voca e meriton rikthimin te Kosova? - NACIONALE

Mesataren për vrapim e ka më të mirë se lojtarët e Serie A - pse Voca e meriton rikthimin te Kosova?

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Idriz Voca është duke kaluar në një formë shumë të mirë. Ai po regjistron statistika mbresëlënëse të angazhimit në fushë në Serie B italiane me Cosenza. Ka disa arsye pse edhe Kombëtarja e Kosovës do duhej ta mendonte rikthimin e tij.

Pas një vakumi që kishte krijuar në karrierën e vet, ku gjendej pa skuadër në pjesën e parë të edicionit paraprak, Voca humbi shumë shkëlqim edhe nga përgatitja fizike. Pasi u transferua në Serie B të Italisë, gjegjësisht në Cosenza si lojtar i lirë në afatin kalimtar dimëror të vitit të shkuar, ai nuk arriti që të linte gjurmë në pjesën e dytë të kampionatit, duke qëndruar kryesisht në stol.

E njëjta nuk vlen edhe për këtë sezon. Ai po shënon një formë mjaft të mirë nga të gjitha aspektet, duke u shndërruar në një aset të çmuar të skuadrës kalabreze.

I vendosur para mbrojtjes, në pozitën që kaherë ka mbuluar repartin e mesfushës, ai ka regjistruar shifra të mahnitshme të vrapimit. Sipas GPS-it që llogarit angazhimin e çdo futbollisti në fushë, 26-vjeçari gëzon një mesatare prej 14 kilometrave të vrapuara.

Anipse në dukje mund të ngjan si i pavend krahasimi, duhet thënë se një mesatare të tillë nuk e gëzojnë as lojtarët që luajnë në një divizion më lart, respektivisht në Serie A. Sipas të dhënave zyrtare Nicolussi Caviglia gëzon mesatare prej 11,90 km, duke u pasuar nga Matteo Pessina me 11,79 dhe Sergej Milinkovic-Savic me 11,77.

Një aspekt pozitiv për mesfushorin “dardan” është se ka fituar minuta të plota me Cosenzan gjatë sezonit të sivjetëm, duke luajtur rregullisht nga minuta e parë.

Arsyeja pse Kosova duhet ta ftojë Vocën

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, në vitin e parë sa drejtoi “dardanët”, bëri çmos duke eksperimentuar për ta gjetur një lojtar ideal që do pozicionohej në mesfushë para mbrojtjes, për t’ia përcjellë kësaj të fundit njëlloj sigurie të nevojshme.

Meqë alternitavat ishin të mangëta, dy mbrojtësit, Dresheviq, gjegjësisht Fazliji, u deshen që të zhvendoseshin në mesfushë herë-herë për t’i dhënë ekuilibër lojës defanzive, në mënyrë që të mënjanohej një ekspozim i ekzagjeruar.

Për më keq, kjo dyshe në këtë sezon, në skuadrat ku aktivizohen vazhdimisht, kanë luajtur si qendërmbrojtës. Do të ishte një rrezik i lartë që “dardanët” të llogaritnin që njëri prej tyre të vazhdonte të luante para mbrojtjes si mesfushor defanziv, aq më shumë që asnjëri nuk e ka pikë të fortë angazhimin maksimal në tërë fushën.

Pikërisht Voca është mesfushori shkatërrues që për momentin Kosovës do t’ia garantonte një mori kilometrash të vrapuara, për ta ruajtur kështu edhe kompaktësinë në mbrojtje dhe duke rrezikuar më pak pësimin e daljeve të shpejta në tranzicion nga ekipi kundërshtar.

Nuk ka ndonjë lojtar tjetër për momentin nga mesfushorët kosovarë të këtij profili (në përjashtim të Feratit) që gëzojnë minuta të kënaqshme në ekipet e tyre. Kryeziu gjithmonë e më i lënë në hije, Loshaj pa klub deri tani, Valon Berisha po luan në një kampionat luksi për nga aspekti financiar, por jo edhe për nga ai profesional e cilësor – siç është liga australiane, ku po aktivizohet me Melbourne City, etj. Me pak fjalë, horizonti duket i errët.

Duke ditur që mungojnë saktësisht shtatë javë deri në fillimin e fushatës kualifikuese për Evropianin 2024, kur Kosova më 25 mars do ta luajë mbase ndeshjen më të rëndësishme të grupit, duke u ballafaquar në udhëtim kundër Izraelit – një rikthim i Vocës në kombëtare do të ishte në interes të vetë kësaj të fundit.

Natyrisht, meqë ka një krizë enorme në këtë repart të fushës dhe posaçërisht te mesfushorët balancues, ftesa për të do të mund të quhej e logjikshme dhe e arsyeshme.

Vetëm mesfushorët me tipare sulmuese si Celina apo Muslija kanë dhënë disa shkëndija të mira javëve të fundit, por që të dytë nuk garantojnë dot ekuilibrat e nevojshme në aspektin defanziv, sepse tekefundit nuk është në domenin e tyre ta bëjnë një gjë të tillë, meqë janë të profilizuar ndryshe si futbollistë.

Kujtojmë se Voca nuk është ftuar nga Kosova prej ndeshjeve miqësore të qershorit të vitit 2021 kundër San Marinos, gjegjësisht Maltës. Qëkur është emëruar në pozitën e përzgjedhësit Giresse, ai është lënë gjithmonë jashtë listës së lojtarëve të ftuar. Mbase tani është koha që të ndryshojë diçka e tillë.

Me fanellën e “dardanëve” ai në harkun trevjeçar, 2018-2018, ka regjistruar pesëmbëdhjetë (15) paraqitje. Në shumicën e herave është alternuar me njërin nga mesfushorët kryesorë të asaj periudhe, Kryeziu, respektivisht Shala.

Lajme të ngjashme