Celina pranë rikthimit në Angli, kalon testet mjekësore te Stoke City - NACIONALE

Celina pranë rikthimit në Angli, kalon testet mjekësore te Stoke City

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Bersant Celina do të rikthehet në futbollin anglez. Burimet e Gazetës Nacionale të afërta me futbollistin tregojnë se ai ka kompletuar me sukses testet mjekësore te Stoke City. Zyrtarizimi është çështje kohe.

Përfaqësuesi kosovar, Bersant Celina, ka vendosur që të ndryshojë ambient. Pas gjysmë sezoni që qëndroi i huazuar te Kasimpasa, tani ai do të rikthehet sërish në Angli, aty ku është zhvilluar si futbollist.

Stoke City është klubi që e ka kërkuar me ngulm gjatë këtij afati kalimtar të transferimeve. Klubi që është pjesë e Championshipit kishte shpreh interesim për të edhe gjatë afatit kalimtar veror, por dokumentacioni i sulmuesit kosovar përbënte problem.

Sipas informatave që ka siguruar Gazeta Nacionale pranë futbollistit, një problem i tillë tashmë nuk ekziston, pasi ai është pajisur me lejen e punës. Madje, përveç kësaj, ai ka kaluar me sukses edhe testet mjekësore te klubi anglez.

Kalimi i Celinës te Stoke City do të jetë në formë huazimi për gjashtë muaj. Stoke City do të ketë mundësinë e blerjes të kartonit të tij në fund të kësaj periudhe të huazimit.

Skuadra në fjalë nuk po kalon në formën më të mirë të mundshme në Championship. Për momentin ajo renditet në pozitën e 18-të tabelore.

Ndërkaq te Kasimpasa futbollisti i kombëtares kosovare ka zhvilluar 19 paraqitje këtë sezon në të dy garat, kampionatin turk, respektivisht Kupën e Turqisë – ku ka shënuar një gol dhe një asist.

Kartonin e lojtarit vazhdon ta ketë nën pronësi klubi francez Dijon. Zyrtarisht përfaqësuesi kosovar ka kontratë me Dijonin deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Sa i përket klubeve britanike, gjatë karrierës së tij Celina ka luajtur për Manchester Cityn (kryesisht për grupmoshat e reja), kurse më vonë ka qenë pjesë edhe e Ipswich dhe Swansea.

Stoke City do të jetë klubi i radhës ku ai do të mund t’i afirmojë cilësitë e veta. Përgjithësisht është mu në Championship kampionati aty ku është shprehur më mirë si futbollist.

Lajme të ngjashme