Në pritje të 16 shtatorit, Kosova optimiste për verdiktin e Speciales për çlirimtarët
Me afrimin e 16 shtatorit, ditës kur Gjykata Speciale do të jap verdiktin për ish-krerët e UÇK-së, po shtohet emocionet e pritjes në Kosovë.
Në prag të shpalljes së verdiktit final nga Dhomat e Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, janë shtuar edhe deklarimet rreth përmbajtjes se aktgjykimit.
Njohësit e çështjeve juridike dhe politike në vend janë shprehur optimist për verdiktimin.
Platforma “Liria ka emër” sot ka hapur konferencën kombëtare “Lufta për UÇK-në”.
Në hapje të konferencës është thënë se po niset një dialog të brendshëm për vlerat e vërteta të luftës çlirimtare.
Hapja e konferencës është bërë nga përfaqësuesja e kësaj platforme, Eliza Hoxha, e cila ka thënë se për 6 vjet ky proces ka qenë pjesë e pandashme e vëmendjes publike në Kosovë.
“Kjo konferencë vjen si moment për ta nisur një dialog të brendshëm për në vlerat tona të vërteta, për historinë tonë, për pikat tona të përbashkëta edhe nëse nuk pajtohemi, por aty duhet të jenë aty për t’i vlerësuar dhe adresuar”, ka thënë ajo.
Ndër folësit e parë në këtë konferencë ka qenë edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani.
Edhe ai është shprehur optimist për verdiktin final.
“Jam optimist për aktgjykimin. Ndërmarrja e përbashkët kriminale nuk ka logjikë. Kosova do të dalë faqebardhe, si për arsyeje politike ashtu edhe juridike”, ka thënë Hasani.
Rreth kësaj çështje sot është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti.
Në mbledhjen e parë të Qeverisë Kurti 4, ai ka uruar që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të kthehen të lirë në Kosovës.
Sipas tij, lufta çlirimtare ka qenë luftë e drejt dhe e pastër.
“Për ne është gjithçka e qartë, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundër një pushtuesi, i cili kreu krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen në vendin e tyre, më pranë familjeve”, është shprehur Kurti.