Prapaskena ekskluzive: Si Bersant Celina i qëndroi besnik Kosovës, detaje nga përplasjet me zyrtarët norvegjezë - NACIONALE

Prapaskena ekskluzive: Si Bersant Celina i qëndroi besnik Kosovës, detaje nga përplasjet me zyrtarët norvegjezë

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Nëntë vite pjesë e Kosovës. Bersant Celina ka qenë ndër ata që kanë shënuar historinë e Kombëtares së Kosovës. Gazeta Nacionale sjell ekskluzivisht prapaskenat e vendimit për të luajtur për “dardanët”.

Gjatë këtyre ditëve në opinionin kosovar u rikthye si temë diskutimi çështja e përfaqësimit të Kosovës. Kishte nga ata që aludonin se askush nga lojtarët e tanishëm nuk e ka pasur Kosovën zgjedhje parësore.

Megjithatë, ka vend gjithnjë për përjashtime dhe këtë i pari e ka bërë Bersant Celina. Sot, dikush mund të ketë mëdyshje rreth sinqeritetit të atij vendimi, por faktet janë kokëforta. Prapaskenat të cilat do t’i sjellim në vijim të këtij shkrimi, disa të papërmendura më herët, do ta ofrojnë një dimension krejt ndryshe të vlerave që ka futbollisti 26-vjeçar.

Sigurisht, Bersanti nuk ka luftuar për të qenë pjesë e faqeve të para të medieve shqipfolëse. Vendimin e ka marrë ashtu siç e ka ndier, por pa u krekosur ose hiperbolizuar me të.

Përplasjet e mëdha me Norvegjinë

Përplasje nga më të ndryshmet kanë qenë ato të Bersant Celinës dhe përfaqësuesve të tij, me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Norvegjisë dhe – mbi të gjitha – me shtypin e vendit përkatës.

Siç mëson Gazeta Nacionale përmes burimeve të veta, gjithçka ka nisur në momentin kur u është bërë me dije se nuk do ta përfaqësonte Norvegjinë, e aq më pak grupmoshën U21 të asaj kombëtareje.

Kjo gjueti intrigash dhe kryqëzimesh në drejtim të Bersantit, niste prej vitit 2012, kur ai u transferua nga Strømsgodset në akademinë e klubit të Manchester Cityt.

Gjatë kësaj kohe njeriu i parë që mori në telefon duke e kontaktuar atë vetë personalisht dhe babain e tij, si përfaques kryesor të lojtarit, ka qenë ish-përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, me përkrahjen e ish-kryetarit të ndjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Bersanti ishte 17-vjeç dhe u bind që të debutonte me Kosovën pas disa muajsh, respektivisht në vitin në vijim. Ishte qershori i 2013-ës kur ai u ftua në turneun “Valais Cup”, për grupmoshën U20, ku ishin pjesëmarrëse edhe Gana me Egjiptin. Turne që zhvillohej në Zvicër.

Këto fotografi flasin shumë për historinë e Kombëtares së Kosovës. Siç mund të shihni, këtu ishin lojtarë që akoma sot vijojnë të kenë përgjegjësi të mëdha te Kosova, siç janë Vedat Muriqi dhe Milot Rashica.

Njashtu, ishte edhe Armend Thaqi dhe shumë lojtarë të tjerë nga Superliga e Kosovës atëbotë, prej më të dalluarve që ishin.

Pas mbarimit të atij turneu, ku Kosova ndeshjen e parë me Ganën e barazoi 2:2, ndërsa më pastaj shënoi humbje 8:0 kundër Egjiptit – Bersant Celina nuk u la i qetë për asnjë moment nga zyrtarët e Federatës së Futbollit të Norvegjisë.

Nga ajo që ka mësuar Gazeta Nacionale, gjithçka ka degraduar në fjalosje verbale dhe polemika të llojit të vet, ku as ai, e as familja – nuk lëshonin pe nga arsyeja legjitime e përfaqësimit të vendit të tyre, Kosovës.

Kësisoj, një vit më vonë, Bersant Celina ftohej zyrtarisht për të qenë pjesë e Kombëtares së Kosovës kundër Haitit, në miqësoren e parë të pranuar nga FIFA që luhej më 5 mars të vitit 2014-ës, e që përfundonte baras 0:0.

Një muaj para asaj ndeshje, kur ishte fillimi i shkurtit, në biseda private shfaqte tërë entuziazmin e tij që do ta përfaqësonte Kosovën. Pyetjet më të shpeshta ishin: “A do të jetë stadiumi i stërmbushur?”, “Më dërgo pamje se si bëhet atmosfera në Kosovë, sepse jam shumë entuziast ta di”, etj. Meqë atëbotë nuk kishte shumë fotografi dhe material në internet, sepse Kosova nuk kishte luajtur ndeshje të atij lloji asnjëherë më herët – pamjet e para që i dërgoheshin të stadiumit “Adem Jashari” ishin ato të ndeshjes KF Trepça 2:1 KF Besa, ku ishte i stërmbushur me tifozë në pranverë të vitit 2010, me KF Trepçën që fitonte titullin kampion të fundit.

“Bersant, kështu do të duket stadiumi. Ke për ta parë”. Përgjigja e tij plot entuziazëm ishte: “Wow! Mezi po pres”. Në fakt, ashtu ndodhi. Edhe pse me shi e në një mot të dendur, dhjetëra-mijëra kosovarë morën rrugë drejt Mitrovicës për të qenë dëshmitarë të asaj dite kur ora e futbollit të Kosovës po ndryshonte njëherë e përgjithmonë, e ku breza të tërë kishin dhënë kontribut sublim për vite tëra, veçanërisht në dekadën e fundit të mileniumit paraprak, ku topi rrokullisej në fushat e Kosovës si formë rezistence ndaj regjimit shovinist serb.

Sidoqoftë, ai nuk do të debutonte në atë ndeshje, por do të ishte ndër lojtarët kryesorë tek të cilët do të fokusohej e ardhmja e Kosovës.

“Bersant Celina s’ka nevojë për Norvegjinë”

Familja Celina për vite të tëra ishte etiketuar si “armiqësore” ndaj Federatës së Futbollit të Norvegjisë. Këta të fundit nuk po arrinin ta kapërdinin lehtë faktin që një lojtar i rritur në vendin e tyre, nuk po dëshironte që të luante më me bluzën e kombëtares së vet.

Gazeta Nacionale për lexuesit e saj sjell një fotografi të Bersant Celinës sa ishte 15-vjeç, pjesë e kadetëve të Norvegjisë. Së bashku me të, siç mund ta shihni, ishte Zymer Bytyqi, i cili po ashtu sot është pjesë e Kombëtares së Kosovës.

Pra, Norvegjia këmbëngulte që të rikthehej me atë fanellë, por vendimi i marrë nuk kishte alternativë, e aq më pak prapakthim. Në vitin 2015 Kosova regjistroi vitin më të rëndë sa i përket dështimeve të njëpasnjëshme për të aranzhuar miqësore (pa faj të vet). Shumë kombëtare refuzonin në momentet e fundit dhe kampet organizoheshin ose në Kastriot pa ndeshje testuese, ose ato luheshin ndaj klubeve në Gjermani.

Mirëpo edhe kjo gjendje nuk e stepi Bersanti. Përfaqësuesit e tij rikthyen përplasjet e mëdha me shtypin norvegjez në janar të 2015-ës, duke thënë që Bersanti do të grumbullohej atë vit për ushtrime te Kosova, por gjatë vitit tjetër (në 2016) do të luante në ndeshje kualifikuese për Kosovën.

Nëse e lexon sot mund të duket normal ky parashikim, por gjykuar në retrospektivë, në 2015, respektivisht në janar të atij viti, pragmatikisht e as sinqerisht nuk ndihej ndonjë shpresë objektive që Kosova të luante pas një viti për kualifikueset e Botërorit 2018.

Familja Celina guxoi të shpresonte në një ideal më shumë sesa në një projeksion të vërtetë. Për kureshtje, gjatë atij viti ishin lojtarë të tjerë që iu bashkuan Kosovës. Njëri nga ta është Hekuran Kryeziu.

Ajo deklaratë e tyre, bëri që të mblidhej Federata e Futbollit të Norvegjisë në një sesion të jashtëzakonshëm. Këtë e vërtetojnë edhe shkrimet e ndryshme të cilat mund të rikuperohen nga shtypi norvegjez. Temë diskutimi e asaj mbledhjeje do të ishte se si të veprohet me lojtarët që mund të zgjedhin jo vetëm Norvegjinë, por edhe dikë tjetër. Me pak fjalë, përplasjet kishin arritur maksimumin e vet. Sekretari i atëhershëm i Federatës së Futbollit të Norvegjisë, Kjetil Siem, e quante debat emocional dhe të ndjeshëm.

Si rrjedhojë, erdhi edhe një kundërpërgjigje tjetër nga përfaqësuesit e Celinës, të cilët medieve norvegjeze ua thanë hapur dhe troç: “Bersanti nuk ka nevojë për Norvegjinë.”

“Nuk jam ndier plotësisht norvegjez asnjëherë"

Bersant Celina po luante akoma për grupmoshat e reja të Manchester Cityt në 2015. Gjersa në Kosovë kishte debate, diskutime, shtrim të pyetjeve se përse nuk po luajmë me “x, y” kombëtare njësoj siç ndodhte në vitin paraprak, në Skandinavi ishte një tjetër debat i madh që po intensifikohej e assesi nuk po ndalej.

Gjithmonë kryefjalë ishte Bersant Celina. Në një moment ai vendosi që ta thotë mendimin e tij vetanak, duke i lënë të shtangur mediet norvegjeze.

Në pranverë të 2015-ës, Bersant Celina do të deklaronte se, edhe pse ka nënshtetësi norvegjeze dhe se është rritur në Norvegji, asnjëherë nuk është ndier tërësisht norvegjez. Deklaratë që fuste atë në mesin e protagonistëve kryesorë për t’u kryqëzuar nga mediet e vendit ku është rritur.

Ai e thoshte hapur se si njeri ndihet shqiptar i Kosovës, duke shtuar se Kombëtarja e Kosovës kishte shprehur interesim të madh për të – siç e quante ai “interesim i natyrshëm siç do të duhej të ishte”.

Akuza, replika, kundër-akuza, kritika, fjalosje të ashpra – ishin ato që kulmuan deri në vitin 2016 mes zyrtarëve të Kombëtares norvegjeze dhe familjes Celina. Ata ishin të bindur edhe në shkurt të 2016-ës se në shtator Kosova do të luante në kualifikueset për Botëror.

Për këtë arsye, siç mëson Gazeta Nacionale, në pranverë të atij viti, babai i Bersantit, Edvar Celina, në shoqërim të Albert Bunjakit dhe ish-përgatitësit fizik suedez, Tord Grip – uleshin në tribunat e stadiumit për ta parë nga afër ndeshjen Norvegji – Finlandë, të vetëdijshëm se këta të fundit do të kishin qenë kundërshtarë në grupin e Kosovës për fushatën kualifikuese të Botërorit 2018. Fare afër tyre ishin të ulur edhe zyrtarët e Federatës së Futbollit të Norvegjisë.

Bersant Celina nuk lihej rehat me pyetje kritike nga mediet norvegjeze. Ai thoshte se këtë vendim të drejtë e kishte marrë edhe për shkak se ka një familje në Kosovë që ka vuajtur shumë (të cilët kanë qenë edhe pjesë e gueriles të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës). Këtë e quante faktor kyç.

Si refuzoi Bersant Celina mundësinë që të përfaqësonte kombëtare tjera?

Nëse sot futbollistët pa qenë relevantë asgjëkundi po përpiqen të luajnë me shumë karta, Bersant Celina atëbotë ishte në një pozitë dukshëm më të favorshme, por nuk notoi në ato ujëra.

Gazeta Nacionale duke iu referuar burimeve të sigurta të saj, ka të gjitha provat sesi Bersanti mund të lëvizte edhe gjetiu, ngase mundësitë i kishte të lira.

Për fantazistin kosovar interesim kishte shprehur edhe Shqipëria, por ai nuk dëshiroi që ta linte Kosovën. Madje, ai s’do ta kishte pasur fare problem për arsye burokratike që t’i bashkohej edhe ndonjë tjetër kombëtareje ballkanike. Fjala është për Bosnjën dhe Kroacinë. Gjithnjë kjo shtrohet në kontekst të zhvillimit tejet të madh që ka pasur në atë hark kohor, ku gëzonte vëmendjen e të gjithëve.

Bersanti vendosi t’i qëndrojë shumë besnik Kosovës, duke mos shqyrtuar alternativa tjera. Për familjen e tij rol tejet të rëndësishëm kanë pasur edhe figurat si Fadil Vokrri dhe Albert Bunjaki. Besimi tek ta ishte evident. Paçka, nuk bën të mos përmendet edhe ky element, i parë në sytë e tyre si një garancë e vlefshme, për të vijuar të qëndronin pjesë e projektit të Kosovës.

Sot, Bersant Celina me shumë gjasa do të luajë titullar ndaj Irlandës Veriore. Kështu të paktën mëson Gazeta Nacionale përmes burimeve të veta afër kampit dardan. Nëse do të luajë nga minuta e parë, do ta bënte paraqitjen 30-të me fanellën e Kosovës A. Gjatë viteve lëndimet e kanë penalizuar. Me raste ndoshta edhe ndonjë transferim i dështuar ose i vonuar. Gjithsesi, të gjitha këto janë pjesë e të qenët futbollist profesionist.

Çka asnjëherë nuk mund të baltoset e as vihet në diskutim, është vullneti i tij i njëmendtë për ta përfaqësuar Kosovën. Nëse me karakter në vetvete është fjalëpak dhe nuk del assesi që të reagojë për ndonjë debat që mund të nxitet në opinionin kosovar – kjo nuk do të thotë asgjë për të, sepse rreth tij dhe për të flet historia. Ajo histori e mbushur me fakte kuptimplota, ku ekzistojnë materialet dhe provat që vërtetojnë sesa qëndrestar dhe idealist ishte ai, me përkrahjen e familjes, rreth përfaqësimit të Kosovës

Lajme të ngjashme