Celina: Kemi punuar gjatë javës për këtë ndeshje
Bersant Celina është shfaqur në konferencë për shtyp pranë Alain Giresse, duke u përballur me pyetjet e gazetarëve.
Nesër Kosovën e pret një ndeshje e vështirë kundër Irlandës Veriore, aq më shumë nëse kemi parasysh lëndimet e fundit, me Leart Paqaradën, Florent Hadërgjonajn dhe Shkëlqim Vladin – që kanë mbetur jashtë listës, për arsye të shqetësimeve muskulore.
Ndërkaq, për fantazistin kosovar, Celina, ky do të jetë grumbullimi i parë nën urdhrat e përzgjedhësit të ri, Alain Giresse. Ai po ashtu tha se ndjehet i lumtur që rikthehet të luajë futboll në Britani të Madhe, aty ku është koncentruar një pjesë e madhe e karrierës së tij.
“Jam i lumtur që po rikthehem në Britani të Madhe për të luajtur një ndeshje futbolli. Si unë, ashtu edhe tërë ekipi ka punuar gjatë javës në mënyrë që ta përgatisë sa më mirë këtë ndeshje që na pret. Për ne ndeshjet e tilla na ofrojnë kënaqësi dhe do të japim maksimumin tonë”, u shpreh Celina.
Sfidë jo e lehtë për Kosovën
Ndeshja e parë përfundoi me fitore të Kosovës, 3:2, në një sfidë që prodhoi gola, por kur edhe kundërshtarët e “dardanëve” kishin dy raste të mira shënimi për të dalë të paktën me një pikë.
Andaj, edhe ndeshja që do të zhvillohet nesër parashikohet të jetë e vështirë për Kosovën. Në përgjithësi, sa i përket rezultateve, Kosova akoma nuk ka shënuar rezultate pozitive në udhëtim ndaj shteteve nordike evropiane.
Me raste është ankuar edhe në mos-përshtatshmëri sa i përket klimës dhe vështirësive tjera që janë hasur rrugës. Nëse këtyre elementeve ua shtojmë edhe mungesat e ndryshme si pasojë e lëndimeve të pranuara, nënkupton se tre pikët nuk janë megjithatë mision i lehtë.
Si Irlanda Veriore, ashtu edhe Kosova, nuk kanë gjasa për t’u kualifikuar tutje në Ligën B apo të avancojnë mëtutje drejt fazës së gjysmëfinales, pasi Greqia e ka fortifikuar pozitën e parë, meqë në katër ndeshje ka arkëtuar pikë maksimale, duke siguruar “de jure” primatin në grup. Kosova do të mundohet ta ruajë pozitën e dytë dhe për ta bërë këtë gjë duhet ta shënojë të paktën një fitore nga dy ndeshjet që kanë mbetur për t’u luajtur.
Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës ka mbërritur në Irlandën Veriore. Përkundër mos gjendjes optimale fizike, së bashku me lojtarët ka udhëtuar edhe Amir Rrahmani. Gjatë këtyre minutave “dardanët” do ta zhvillojnë edhe stërvitjen e fundit, para se të zbresin në fushë gjatë ditës së nesërme, nga ora 18:00, për t’u ballafaquar me irlandezo-veriorët.