Rrahmani nuk ia del të jetë gati kundër Irlandës Veriore, Celina drejt vendit titullar - NACIONALE

Rrahmani nuk ia del të jetë gati kundër Irlandës Veriore, Celina drejt vendit titullar

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Kosova nuk ka ndër mend ta rrezikojë Amir Rrahmanin për ndeshjen e nesërme kundër Irlandës Veriore. Ndërkaq, Bersant Celina pritet t’i rikthehet formacionit bazë të Kosovës.

Sot, “dardanët” zhvilluan seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës kundër Irlandës Veriore që do ta luajnë në udhëtim.

Nga ajo që mëson Gazeta Nacionale përmes informatave të veta, Amir Rrahmani nuk do të vendoset në 11-shen titullare. Kosova nuk dëshiron që ta përdorë atë në formacion nga fillimi i ndeshjes, meqë nuk ka qenë gjatë këtyre ditëve në formën më të mirë të mundshme.

Lajmi i mirë është se dhimbja e ndier në ligamentet e kyçit, siç raportoi Gazeta Nacionale gjatë javës dhe siç u konfirmua nga mediet italiane orëve të fundit, nuk përbën ndonjë shqetësim serioz për gjendjen e tij fizike.

Siç mëson Gazeta Nacionale, ai pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit që do ta luajë Kosova në këtë fushatë kualifikuese, më saktësisht kundër Qipros, më 27 shtator, në “Fadil Vokrri”.

Rikthimi i Bersant Celinës në formacion

Alain Giresse për dallim nga ish-përzgjedhësit tjerë që kanë qenë më herët, nuk shquhet që jep indikacione të mëdha për formacionin titullar para ndeshjes. Këtë nuk e aplikon as në konferencë për shtyp, duke mos dhënë qoftë edhe detaje të imta.

Mirëpo nga burimet e Gazetës Nacionale, mësohet se Bersant Celina pritet ta rifitojë pozitën e titullarit. Ai kishte munguar për një kohë të gjatë në kombëtare për arsye të ndryshme, që për hir të vërtetës, të paktën në versionin zyrtar, nuk është se u patën sqaruar.

Mesfushori sulmues 26-vjeçar u rikthye te “dardanët” pas njëmbëdhjetë muajsh mungesë. Kalimi në formë huazimi te Kasimpasa gjatë afatit kalimtar veror, i ka ndihmuar atij që ta rikthejë disi formën fizike, duke luajtur edhe titullar, së bashku me bashkëlojtarin e tij në skuadër, Hadërgjonaj.

Celina ka zhvilluar 29 paraqitje me ekipin kombëtar A të Kosovës, duke shënuar një gol të vetëm, atë kundër Danimarkës, në sfidën miqësore të fundit të marsit të vitit 2018, që u pati zhvillua në “Fadil Vokrri”, duke përfunduar me rezultat 2:2.

Sa i përket pozitave tjera, akoma është e paqartë sesi do të rreshtohet Kosova. Fakti se disa lojtarëve u mungojnë minutat në ekipet përkatëse ku luajnë – e krijon një tjetër vështirësi për stafin teknik që të përcaktohet se kujt t’ua besojë pozitat në përbërjen e parë.

Gjatë konferencës së sotme që mbajti Alain Giresse, e bëri qartësisht të ditur që objektiv kryesor ka që të ruhet pozita e dytë në grup, pasi primatin e ka siguruar Greqia, veçmas pas dy fitoreve në ndeshjet direkte që siguroi kundër “dardanëve”. Para gazetarëve në konferencë foli edhe Celina, i cili tha se ekipi është bërë gati gjatë javës që të marrë një rezultat pozitiv nga udhëtimi në Belfast.

Kosova ka katër pikë më shumë sesa Irlanda Veriore, kur mungojnë edhe dy ndeshje që të përmbyllet kjo fushatë kualifikuese e Ligës së Kombeve.

Lajme të ngjashme