Rrahmani akoma në dyshim për Irlandën Veriore, mësohet lëndimi që po vuan
Sot, Kosova ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore. Amir Rrahmani vazhdon të mos jetë në formën më të mirë fizike. Gazeta Nacionale ka mësuar shkallën e lëndimit.
Dy ditë mungojnë nga ndeshja kundër Irlandës Veriore që do të zhvillohet në Belfast. Kosova po i vazhdon përgatitjet që të jetë sa më shumë gati për dy sfidat përmbyllëse të Ligës së Kombeve.
Gjithsesi, është kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani, ai që nuk po ia del të jetë në rendimentin më të mirë fizik.
Burimet e Gazetës Nacionale thonë se ai po vuan nga një shqetësim i lehtë në ligamentin e këmbës. Skepticizmi rreth të qenët i gatshëm për të zbritur në fushë ndaj Irlandës Veriore – vijon të jetë i madh.
Këtë problem Rrahmani e ka ndier në fundin e ndeshjes kundër Milanit, të cilën Napoli e fitoi me rezultat 1:2 në “San Siro”.
Sido që të jetë, lajmi i mirë është se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim të rëndë, sepse në të kundërtën nuk do të mbetej akoma pjesë e grumbullimit. Kjo është ana e mirë e medaljes. Deri në ditët e fundit do të punohet që Rrahmani të rikuperohet, për ta riktheyr formën fizike sa më të mirë, për ta dhënë kështu kontributin e tij si kapiten dhe lojtar i rëndësishëm i “dardanëve”
Nuk pritet që Rrahmanit t’i rrezikohet ndonjë ndeshje me Napolin, ngase siç thamë bëhet fjalë për një shqetësim që pritet të shërohet shumë shpejt, përveç të ndonjë skenari tjetër, që duket pak i mundur.
Kësisoj, 28-vjeçari pritet të jetë gati që të luajë në mos kundër Irlandës Veriore, të paktën në ndeshjen e fundit kundër Qipros, që do të luhet më 27 shtator në "Fadil Vokrri".
Përgatitjet vijojnë – Fazliji dhe Emërllahu shprehën optimistë për ndeshjen e radhës
Për fatin e mirë të Kosovës, vetëm Rrahmani po vazhdon të jetë në gjendje fizike akoma jo krejtësisht optimale. Pjesa tjetër e lojtarëve janë të gatshëm të luajnë nga minuta e parë.
Për faqen zyrtare të FFK-së, pas përfundimit të seancës së sotme stërvitore u deklarua Betim Fazliji, ku u shpreh rreth atmosferës në ekipin kombëtar.
“Atmosfera gjithmonë është e mirë në kombëtare. Është krenari të luash për kombin tënd. Jashtë stërvitjes kemi atmosferë shumë të mirë dhe harmoni ndërmjet veti, derisa në stërvitje punojmë të disiplinuar dhe e japim maksimumin. Besoj se jemi përgatitur mirë, pasi kushtet kanë qenë shumë të mira”, nënvizoi ai.
Tutje, Fazliji tregoi edhe ambiciet që kanë për ndeshjen kundër Irlandës Duam të shkojmë në Belfast me synimin për të dhënë maksimumin. Secili prej nesh është i motivuar për fitore në Irlandën Veriore. Kundërshtari është i fortë. Është një ekip me fizik të lartë dhe me tempo të shpejtë, pasi luajnë futboll të stilit anglez, por ne jemi përgatitur mirë për këtë lojë dhe i kemi bërë zgjidhjet e duhura se s’i t’i kundërvihemi. Ne shkojmë atje me vetëbesim të lartë dhe duam t’i marrim tri pikë tjera ndaj tyre, ashtu siç i kemi marrë para tifozëve tanë“, u shpreh ai.
Lindon Emërllahu është ftuar për herë të parë nga Alain Giresse. Mesfushori 19-vjeç i Ballkanit ka folur për emocionet që ka ndier pasi ka pranuar ftesën.
“Ftesa e Giresse ka qenë e pabesueshme për mua. Të jesh pjesë e Kombëtares është ndjenjë e papërshkrueshme. Shpresoj që edhe futbollistë tjerë të Superligës në të ardhmen të marrin ftesa nga Kombëtarja dhe ta përjetojnë këtë ndjenjë”, potencoi ai.
Të gjithë lojtarët i kanë uruar mirëseardhje Emërllahut. Të paktën kështu deklaroi ai gjatë prononcimit të tij, ku dha edhe një opinion sa i përket ndeshjes që i pret.
“Ekipi më ka pritur shumë mire, është thjesht një ndjenjë e papërshkrueshme. Secili prej lojtarëve më është afruar, më ka përkrahur dhe më ka pritur jashtëzakonisht mirë. Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur mjaft mirë. Atmosfera është shumë e mirë në grup, si jashtë fushës, ashtu edhe brenda fushës dhe shpresoj në rezultat pozitiv”, theksoi Emërllahu.


