Vedat Muriqi: Në Irlandë Veriore udhëtojmë për fitore - NACIONALE

Vedat Muriqi: Në Irlandë Veriore udhëtojmë për fitore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vedat Muriqi beson se Kosova mund të mposhtë Irlandën Veriore të shtunën në Ligën e Kombeve, duke thënë se dardanët do udhëtojnë drejt Belfastit për tri pikë, përkundër mungesave.

Kosova i ka vazhduar përgatitjet të mërkurën në mëngjes për dy ndeshjet e fundit të këtij viti në Ligën e Kombeve, kundër Irlandës Veriore dhe Qipros në fund të këtij muaji.

Dardanët u grumbulluan të hënën dhe sot bënë stërvitjen e tretë nën urdhrat e trajnerit Alain Giresse në qendrën stërvitore në Hajvali.

Duke folur pas stërvitjes, Muriqi – i cili këtë verë iu bashkua Mallorcas nga Lazio – theksoi: “Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut. Sigurisht se do të udhëtojmë për fitore. Në Prishtinë kemi fituar dhe e dimë se çfarë na pret atje. Atje presim të ketë shumë shikues, ku të bashkuar do të na sulmojnë të gjithë, por edhe ne kemi kualitetet tona dhe ashtu siç e kemi fituar ndeshjen e parë, besoj se do ta fitojmë edhe të dytën”.

Ekipit kombëtar verdhekaltër në stërvitje iu bashkuan sot edhe kapiteni Amir Rrahmani dhe portieri i parë Arijanet Muric, të cilët u stërvitën të veçuar.

Giresse përballet me kokëçarje për përzgjedhjen e formacionit titullar për këto ndeshje, shkaku i mungesave në mbrojtje në veçanti, pasi Mërgim Vojvoda dhe Leart Paqarada u lënduan në prag të grumbullimit.

Por Muriqi beson se këto mungesa mund të mbulohen me lojtarë të tjerë që kampin dardan.

“Shumica e lojtarëve jemi që po luajmë nëpër ekipet tona. Edhe pse kemi mungesa besoj se ata lojtarë që do ta kenë rastin të luajnë në pozitat e atyre që mungojnë, do ta japin maksimumin. Është më rëndësi të kenë një sistem bazë që për momentin e kemi dhe kur e ke sistemin, pavarësisht kush hyn apo kush del nuk krijon shumë dallim”.

Pas përballjes me Irlandën Veriore në Belfast të shtunën, Kosova do të kthehet në Prishtinë, ku e pret Qipron në ndeshjen e fundit të grupit në Ligën C, pa asnjë gjasë për ta fituar grupin apo për të rënë në Ligën D.

Lajme të ngjashme