Shkaku i telasheve personale, Arijanet Muric do t’i bashkohet Kosovës me vonesë
Arijanet Muric do t’i bashkohet me vonesë ekipit kombëtar të Kosovës në grumbullimin e fundit për këtë vit, për shkak të disa telasheve personale, mëson Gazeta Nacionale.
Kosova u grumbullua të hënën dhe i nisi përgatitjet për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, kundër Irlandës Veriore në udhëtim dhe Qipros në shtëpi, në mungesë të portierit të parë Muric.
Portieri i Burnley në Championship, pritet t’i bashkohet bashkëlojtarëve dardanë në ditët në vijim.
Ndërkohë, sot pritet t’i bashkohet kampit dardan edhe kapiteni dhe qendërmbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, i cili luajti të dielën vonë në fitoren e madhe të skuadrës së tij kundër Milanit në Serie A. Siç merr vesh Gazeta Nacionale, ai mungoi në seancën stërvitore të mëngjesit. Mirëpo shumë shpejt do të jetë në gatishmëri të përzgjedhësit Giresse.
Gjithsesi, deri më tani Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar dy seanca stërvitore, duke u stërvitur me dy portierë të vetëm: Samir Ujkani dhe Visar Bekaj.

Kosova të shtunën luan ndeshjen e parë gjatë këtij grumbullimi, ku do ta sfidojë Irlandën Veriore në udhëtim. Pritshmëritë janë që Arijanet Muric do të jetë në gjendje që të jetë gati për ndeshjen në fjalë dhe atë të radhës dhe të fundit kundër Qipros.
Forma e shkëlqyer e Muricit te Burnley
Arijanet Muric vjen nga një formë e shkëlqyer në të cilën po kalon te Burnley. Vetë trajneri i skuadrës angleze, Kompany, e ka vlerësuar si jetik kontributin e portierit kosovar.
Muric ka përmirësuar ndjeshëm paraqitjet në çdo parametër, duke i minimizuar gabimet dhe duke qenë një nga akterët kryesorë të Burnleyt.
Gjatë javëve të shkuara është përballur me lëndime të lehta, të cilat ka arritur që t’i lë mbrapa vetes, duke u rikuperuar në kohë rekord, për të qenë kështu në gatishmëri të skuadrës.
Portieri shtatlartë kosovar që prej ndeshjes kundër Azerbajxhanit të fituar me rezultat 4:0 në 2018, llogaritet si portieri i parë i “dardanëve”.
Që prej edicionit të kaluar ku gëzoi një huazim frytëdhënës te Adana Demirspor, Muric shënoi përmirësim eksponencial në paraqitjet e tij.
Gardiani 23-vjeç kosovar së voni nënshkroi kontratë 4-vjeçare me Burnleyn. Deri në këtë periudhë kohore ai ka pasur probleme të theksuara që të qëndrojë te një klub për më shumë se një vit, duke lëvizur nga një skaj i Evropës, te tjetri.
Megjithatë, tashmë duket se ka arritur në një fazë pjekurie më të mirë sa i përket aspektit sportiv dhe rrijtes profesionale. Kosova vazhdon ta konsiderojë opsion të parë për portën e vet dhe kështu parashikohet të jetë edhe gjatë muajve dhe kohës në vijim.

