Zhegrova shpresoi deri në çastet e fundit t'i bashkohej Kosovës për ndeshjen e fundit
Nga ajo që merr vesh Gazeta Nacionale, Edon Zhegrova dëshiroi me çdo kusht të ishte pjesë e Kosovës të paktën për ndeshjen kundër Qipros, por nuk arriti ta marrë lejen e mjekëve të Lillet.
Para dy javësh Zhegrovës iu besua pozita e titullarit në ndeshjen kundër Montpellier, të cilën Lille e luajti në udhëtim. Sidoqoftë, atij ndeshja iu ndërpre para kohës, sepse u lëndua në minutën e 35-të, për t’u zëvendësuar më pastaj nga ish-anësori i Napolit, Ounas.
Ai çast doli të ishte përcaktues që sulmuesit anësor kosovar t’i privohet mundësia e grumbullimit me Kombëtaren e Kosovës për ndeshjet e shtatorit.
Gjithsesi, në bazë të informatave që ka siguruar Gazeta Nacionale, Zhegrova është përpjekur deri në momentet e fundit që ta bindte ekipin mjekësor të klubit francez për t’ia dhënë lejen që t’i bashkohej Kosovës të paktën për ndeshjen e fundit që do ta luajë, asaj kundër Qipros, të martën më 27 shtator.
Edhe pse 23-vjeçari provoi të rikuperohej në kohë rekord, ai nuk ia doli që ta marrë lejen e mjekëve të klubit për të qenë në dispozicion të përzgjedhësit Alain Giresse për ndeshjen që do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” kundër Qipros.
Pikërisht kundër kësaj të fundit Edon Zhegrova kishte treguar paraqitje mjaft të mirë në ndeshjen e parë të luajtur në udhëtim, ku edhe shënoi golin e sigurisë pak para përfundimit të ndeshjes, duke kontribuar në fitoren e Kosovës, që u shënua me rezultat 0:2.
Kokëçarjet e Zhegrovës me lëndimet
Së voni, Edon Zhegrova po has në probleme të ndryshme me lëndimet, të cilat e kanë lënë jashtë fushës së blertë, duke ia humbur një mori ndeshjesh qoftë në kampionat me Lillen, ashtu edhe te “dardanët”.

Kur jemi te Kosova, duhet kujtuar faktin që ishte një lëndim ai i cili bëri që Zhegrova të largohej para kohës nga grumbullimi në “Emerald” gjatë qershorit. Ai nuk ia doli të ishte pjesë e kontingjentit të lojtarëve për dy ndeshjet e fundit të qershorit ndaj Irlandës Veriore dhe Greqisë.
Nëse në ndeshjen e parë Kosova siguroi fitore dhe nuk u dallua shumë mungesa e tij, sepse fitorja mbuloi çdo të metë që u evidentua në fushë, në atë të dytën, përcaktuesen kundër Greqisë, mos të qenët Zhegrova në dispozicion të Kombëtares ishte një hendikep i madh, aq më shumë nëse kemi parasysh faktin se “dardanët” nuk ia dilnin aspak që të krijonin superioritet numerik në driblimet një kundër një.
Problemet fizike po ia ndërlikojnë shumë edhe ambientimin në skemat e trajnerit Fonseca. Deri më tani ai ka humbur 1/3-en e ndeshjeve të zhvilluara në Ligue 1, si rrjedhojë e shqetësimeve të ndryshme që ka ndier.


