Zhegrova po shndërrohet në njeriun kryesor të Kosovës
Edon Zhegrova dha shkëndija të reja dhe tani më bindëse në fitoren kundër Qipros në ndeshjen hapëse të grupit në Ligën e Kombeve se ai është duke u shndërruar në njeriun kryesor të Kosovës nën urdhrat e trajnerit Alain Giresse. Në një mbrëmje të amullt në Qipro, 22-vjeçari ishte i vetmi që tregoi gjallëri.
Kosova, në fakt, duhet t’i falet Zhegrovës për tri pikët e plota pas një ndeshjeje tejet të dobët dhe aspak bindëse të enjten në AEK Arena në Larnaca. Giresse vendosi t’i besojë anësorit të Lille dhe ai nuk dëshpëroi duke pasur gisht në të dy golat, përfshirë golin e shkëlqyer individual.
Pasi portieri i Qipro Neofytos Michael e priti një goditje të tij të papërshtatshme nga largësia duke u zgjatur i tëri në çastet e fundit të pjesës së parë, Zhegrova i mori në dorë frenat e skuadrës pas pushimit mes pjesëve.
Aftësitë e tij dribluese dhe depërtimet shpërthyese u dëshmuan edhe një herë vdekjeprurëse për kundërshtarin dhe tejet të nevojshme për Kosovën.
Kur asgjë nuk po shkonte, me Milot Rashicën që nuk dukej në natën e tij më të mirë as në Larnaca, Zhegrova filloi të driblonte më shumë dhe të merrte iniciativa për të nisur sulme për dardanët.
Zhegrova ishte i rrethuar nga katër mbrojtës qipriotë, pasi i dribloi disa të tjerë, para se ta pasonte topin tek Vedat Muriqi në një hapësirë tejet të ngushtë, i cili e gjeti plotësisht të lirë Valon Berishën, mesfushorin e Reims që shënoi me një goditje të fuqishme jashtë 16-metërsisht në minutën e 65-të.
Ky ishte një çast që e zhbllokoi ndeshjen dhe i dha atij edhe më shumë liri për të manovruar në krahun e djathtë.
Tamam sikur Arbër Zeneli dikur, i cili i ka munguar shumë Kosovës në këto dy vitet e fundit shkaku i lëndimeve të rënda, Zhegrova ka shfaqur guxim për ta marrë topin dhe për të provuar diçka vetë.
Kur akrepat shënonin 78 minuta lojë, Zhegrova – i cili në janar iu bashkua ish-kampionit francez Lille në një marrëveshje katërvjeçare – u la i pambuluar në krahun e djathtë dhe, pasi e mori një top nga Florian Loshaj, u fut me vrull në zonë duke e trullosur mbrojtësin Alex Gogic duke e çuar herë djathtas e herë majtas, para se ta fuste topin në qoshen e poshtme të djathtë të portierit.
“Gjithmonë mundohem që me kualitetin tim ta ndihmoj ekipin qoftë me gola, ashtu edhe me asiste. Tani prej që jam transferuar në Lille kam kaluar në nivel tjetër. Kam punuar shumë. Jam në një klub fantastik ku jam i kënaqur”, tha Zhegrova pa ndeshjes.
Ky ishte vetëm goli i tij i parë në një ndeshje zyrtare për Kosovën dhe i treti në përgjithësi, por duke pasur parasysh talentin e tij të madh dhe moshën, është tamam koha e duhur që ai t’i marrë në duar frenat e sulmit dardan.
Zhegrova tregoi shkëndijat e para të një futbollisti më të pjekur dhe më të përgatitur për ta mbartur fanellën e ekipit kombëtar në ndeshjen debutuese të Giresse kundër Burkina Fasos në mars.
Giresse, 69-vjeçar, në anën tjetër, ka treguar se ai është i gatshëm t’i besojë Zhegrovës dhe i mbetet anësorit nga Prishtina të vazhdojë t’i shpaguajë atë atij dhe të mos i zhgënjejë tifozët dardanë të cilët kanë shpresa të mëdha në të.
Ai ka ende për të dëshmuar dhe tri ndeshjet e radhës këtë muaj, kundër Greqisë dy herë dhe kundër Irlandës Veriore një herë, do të jenë ideale që ai ta shfaqë forcën e tij kundër kundërshtarëve më të fortë.