Ekskluzive: Mungojnë Paqarada, Vladi dhe Vojvoda, nuk ftohet asnjë lojtar shtesë - NACIONALE

Ekskluzive: Mungojnë Paqarada, Vladi dhe Vojvoda, nuk ftohet asnjë lojtar shtesë

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Gazeta Nacionale mëson se Kosova nuk do të mundë të llogarisë në Leart Paqaradën, Shkëlqim Vladin dhe Mërgim Vojvodën për ndeshjet e shtatorit. Përkundër këtyre mungesave, deri më tani është vendosur që të mos ftohet asnjë lojtar shtesë.

Fundjava që lëmë pas nuk shkoi në formën më të mirë të mundshme për lojtarët “dardanë”. Dy lojtarë të rëndësishëm si Leart Paqarada dhe Mërgim Vojvoda, si dhe një lojtar tjetër që pritej të debutonte me Kosovës si Shkëlqim Vladi – u lënduan në angazhimet me skuadrat respektive.

Burimet e Gazetës Nacionale mësojnë se tashmë në kampin e Kombëtares së Kosovës janë pajtuar me faktin që të gjithë lojtarët e sipërpërmendur nuk do t'ia dalin të jenë në dispozicion të përzgjedhësit Alain Giresse për dy ndeshjet e fundit që Kosova do t’i luajë në Ligën e Kombeve kundër Irlandës Veriore dhe Qipros.

Njashtu, sipas informatave që posedon Gazeta Nacionale, tani për tani nuk ka vullnet që të ftohet ndonjë lojtar tjetër, edhe pse do të ketë mangësi të mëdha, veçanërisht në dy krahët e mbrojtjes.

Armend Thaqi ishte emri më i lakuar në opinionin vendor, si lojtar i cili do ta meritonte ftesën për këto dy ndeshje, aq më shumë pas problemeve që ngjanë me lëndimet e lojtarëve në mbrojtje.

Të paktën deri në këto momente, Kosova ka në gatishmëri 23 lojtarë nga 26 sa ishin të ftuar në përgjithësi. Me numër të këtillë të lojtarëve, me siguri që përzgjedhësi francez është i kënaqur dhe nuk sheh nevojën që ta përforcojë njërin nga repartet e fushës me lojtarë tjerë. Sidoqoftë, nuk përjashtohet mundësia që gjërat të lëvizin në këtë drejtim në orët në vijim.

Në të kaluarën ka pasur raste kur lojtarë të ndryshëm nga kampionati vendor janë ftuar në çastet e fundit (shpesh vetëm sa për ta plotësuar numrin në seancat stërvitore të Kombëtares së Kosovës).

Problemet muskulore që ua pamundësuan grumbullimin Vojvodës, Paqaradës dhe Vladit

Ashtu siç raportoi Gazeta Nacionale gjatë ditës së shtunë, mbrojtësi kosovar, Mërgim Vojvoda, pësoi një lëndim të gju një ditë para sfidës kundër Sassuolos. Burimet afër lojtarit i treguan Gazetës Nacionale që shqetësimin muskolar 27-vjeçari e ndjeu në seancën e fundit stërvitore.

Lëndimi i tretë radhazi në katër muaj. Në një situatë të ngjashme, konkretisht thënë në qershor të vitit të kaluar, ai humbi mundësinë e grumbullimit me Kosovën, pasi ishte lënduar më 14 maj në “Bentegodi” kundër Hellas Veronas. Nga lëndimi në fjalë nuk arriti që të rikuperohej në kohë. Situatë paksa analogjike edhe me këtë të fundit. Ai sot iu është nënshtruar ekzaminimeve shtesë mjekësore dhe është konstatuar se nuk mund të grumbullohet me “dardanët”.

Një rikthim i mirëseardhur në Kombëtaren e Kosovës pritej të ndodhte me Leart Paqaradën. Pas shumë muajve mungesë, i hatëruar me ish-përzgjedhësin Bernard Challandes për shkak të minutave të pakta që i ofroheshin në fush – vendosi që të mos grumbullohej më, duke lëshuar një komunikatë për opinionin publik në mars të vitit të kaluar. Ai paralajmëronte se deri në ndryshim të përzgjedhësit nuk do të grumbullohej më.

Sido që të jetë, përzgjedhësi ndryshoi një vit më vonë, por ai nuk ishte në dy grumbullimet e para të tij, për arsye që publikisht nuk u bënë asnjëherë të qarta.

Tani, në momentin kur pranoi ftesën e Kosovës, për fatin e tij të keq u lëndua dhe kërkoi zëvendësimin në ndeshjen që St. Pauli luajti në udhëtim kundër Regensburgut. Ai vetë kërkoi zëvendësimin në minutën e 62-të, pasi po çalonte në të vrapuar. Kësisoj, mbrojtësi kosovar do të duhet të qëndrojë në infermeri të klubit që të procedojë tutje me rikuperimin nga lëndimi, pa mundur të jetë pjesë e Kosovës për dy ndeshjet në vijim.

Ndërkaq, i fundit që u lëndua ishte Shkëlqim Vladi. Për futbollistin e Aaraut do të mund të ishte një mundësi e artë për të debutuar me Kosovën, meqë ftesa i bëhej për herë të parë.

Gjatë ndeshjes që zhvilloi skuadra e tij kundër Baselit, ai ishte në fushë nga minuta e parë. Pikërisht në minutën e 4-të u gjend në një pozitë të përshtatshme shënimi, duke iu afruar golit të epërsisë për vendësit. Mirëpo menjëherë ra në tokë dhe nuk arriti të ringritej, duke ftuar ekipin mjekësor që t’i vihej në ndihmë. Edhe në rastin konkret, atë të Vladit, bëhet fjalë për një lëndim muskulor.

Lajme të ngjashme