Trainkos pranon se vagonët u riparuan në Serbi, do të shqyrtojë alternativa tjera herë, në shtete të tjera
Ndërmarrja Publike “Trainkos” ka pranuar se pesë vagonë të saj janë dërguar për riparim në Zrenjanin të Serbisë, ndërsa ka paralajmëruar se do të shqyrtojë nëse punime të tilla në të ardhmen mund të kryhen në shtete të tjera.
Në një reagim publik të hënën, Trainkos ka bërë të ditur se riparimi i pesë vagonëve, i finalizuar në dhjetor të vitit 2024, ishte kontraktuar përmes një tenderi të hapur të publikuar më 15 shkurt 2024.
Tenderin, sipas ndërmarrjes, e kishte fituar kompania vendore “Profitech Sh.P.K.”, me seli në Prishtinë, e cila kishte qenë ofertuesja e vetme në këtë procedurë.Trainkos ka thënë se kompania fituese ishte përgjegjëse për përzgjedhjen e nënkontraktorëve.
Pas raportimeve dhe deklaratave të publikuara në media, Trainkos thotë se ka kontaktuar kompaninë “Profitech” për të kërkuar sqarime mbi arsyet e dërgimit të vagonëve në Zrenjanin.
Sipas përgjigjes së operatorit ekonomik, vagonët janë dërguar atje pasi, siç pretendohet, vetëm operatori në Zrenjanin kishte mundësi t'i riparonte.
“Sepse vetëm ata mund ti rregullojnë keta vagonë”, citohet përgjigjja e kompanisë në njoftimin e Trainkosit.
Operatori ka deklaruar gjithashtu se Dogana njoftohet paraprakisht dhe se vagonët kalojnë përmes Maqedonisë së Veriut drejt Serbisë.
I pyetur nëse dërgimi i tyre në Serbi mund të evitohej, operatori është përgjigjur: “Jo, nuk ka pasur mundesi pasi qe nuk mund te rregullohen diku tjeter.”
Megjithatë, Trainkos tash ka paralajmëruar se do të bëjë një vlerësim të pavarur për të konstatuar nëse riparime të tilla mund të realizohen edhe në vende të tjera.
“Ndërmarrja do të realizojë një vlerësim të pavarur për të rishikuar nëse këto punime mund të realizohen edhe nga operatorë në shtete të tjera”, thuhet në reagim. Dhe nëse një gjë e tillë rezulton e mundur, Trainkos thotë se do të shqyrtojë opsionet për trajtimin e rasteve të ardhshme brenda kornizës ligjore.
Trainkos ka kundërshtuar gjithashtu raportimet se një punonjës ishte larguar nga puna.
Sipas ndërmarrjes, punonjësi nuk është përjashtuar, por ndodhet në procedurë para komisionit disiplinor për, siç thuhet, “shkeljeve të shumta të detyrave të punës, përfshirë edhe mosvijimin në punë”.
Në fund, Trainkos ka thënë se mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të ligjeve dhe mbrojtjes së interesit publik, duke u bërë thirrje palëve që informacionet t'i marrin nga komunikimet zyrtare të ndërmarrjes.
Kurti e dinte
Albin Kurti, atëherë kryeministër i Kosovës, ishte njoftuar më 24 maj 2024 për kontratën e Trainkos-it për riparimin e vagonëve në Serbi.
Mesazhin ia kishte dërguar ish-deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, drejtpërdrejt Kurtit në WhatsApp.
Kontrata, sipas tij, cenonte sigurinë kombëtare dhe ishte korruptive.
“Përvec që kjo cënon sigurinë kombëtare sipas vendimit të marrë vitin që shkoi ku kemi ndaluar shërbime dhe mallra nga dhe për në Serbi, kjo kontratë është edhe korruptive”, shkruante Korenica.
Ai e informonte Kurtin se tenderi ishte parashikuar në 388 mijë euro, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerën 423 mijë e 100 euro.
Korenica i tregonte gjithashtu se kompania serbe nuk ishte e licencuar për servisimin ndërkombëtar dhe se ekzistonin alternativa për riparimin e vagonëve.
“Vagonat tashmë janë nisur për në Serbi përmes pikës kufitare Elez Han”, thuhej në mesazhin drejtuar kryeministrit.
Pavarësisht këtij paralajmërimi, vagonët e Trainkos-it, ndërmarrje publike në pronësi të Qeverisë së Kosovës, përfunduan në një punishte në Zrenjanin të Republikës së Serbisë.
Dokumentet e brendshme tregojnë se komisioni për riparimin e mesëm të vagonëve kishte nisur punën në nëntor 2024.
“Komisioni, sipas vendimit nr. 472 të datës 21.09.2024, ka filluar punën në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o. në Zrenjanin më datë 07.11.2024”, thuhet në dokument.
Rasti mori hov publik pasi punëtori i Trainkos-it, Asdren Ademi, kërkoi publikisht që qytetarët të informoheshin për riparimet në Serbi.
Rizvanolli e dinte
Rizvanolli nuk e mohoi se vagonët ishin riparuar në Serbi. Ajo e relativizoi rastin duke iu referuar një praktike të mëhershme.
“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017”, shkroi ministrja.
Sipas saj, procedura kishte nisur gjatë Qeverisë Mustafa dhe ishte përuruar gjatë Qeverisë Haradinaj.
Rizvanolli pyeti gjithashtu nëse AAK-ja kishte kundërshtuar këtë praktikë në vitin 2017, kur ministri i saj Pal Lekaj kishte marrë pjesë në përurimin e vagonëve.