Ekskluzive: Afera 15-milionëshe me naftë e “IP Petrol”, Prokuroria e merr lëndën në shqyrtim - NACIONALE

Ekskluzive: Afera 15-milionëshe me naftë e “IP Petrol”, Prokuroria e merr lëndën në shqyrtim

43 minuta më parë

nga NACIONALE

Afera e tenderit mbi 15 milionë euro për furnizim me derivate, ku kompania “IP Petrol” dyshohet se përdori një dokument të falsifikuar të “British Petroleum”, tashmë ka mbërritur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Burime të Gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka marrë lëndën në shqyrtim, pas raportimeve për dokumentin e përdorur nga “IP Petrol” në procedurën e prokurimit.

Ky është zhvillimi i pare institucional pas publikimit të hulumtimit të Nacionale-s, i cili zbuloi se dokumenti i paraqitur në tender si dëshmi e lidhjes me gjigantin britanik BP nuk njihej nga vetë kompania britanike.

Nacionale kishte raportuar më herët se Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte hapur tenderin për furnizimin me karburante të automjeteve të institucioneve publike.

Një nga kushtet e tenderit ishte që operatorët ekonomikë të paraqisnin garancion, autorizim apo konfirmim nga një rafineri prej së cilës furnizohen.

Në përgjigjen zyrtare ndaj pyetjeve të operatorëve ekonomikë, autoriteti kontraktues kishte qenë i qartë:

“Nuk aprovohet. Tenderuesit i kërkohet një garancion, autorizim apo konfirmim nga rafineria ku furnizoheni. Nuk pranohet nga çfarëdo distributori që nuk është rafineri.”

“IP Petrol”, sipas dokumenteve të publikuara nga Nacionale, kishte paraqitur një letër sipas së cilës “British Petroleum” autorizonte kompaninë shqiptare “Gega Oil”, ndërsa kjo e fundit do të furnizonte “IP Petrol”-in në Kosovë.

Me këtë dokument, kompania kishte arritur të fitonte pesë lote të tenderit, me vlerë të përgjithshme mbi 15 milionë euro.

Por autenticiteti i dokumentit u vu në pikëpyetje pas kontaktimit të drejtpërdrejtë të BP-së.

Përgjigjja e kompanisë britanike, ishte kategorike:

“Faleminderit për emailin tuaj. Mund të konfirmojmë se nuk e njohim letrën e përmendur në korrespondencën tuaj dhe po ndërmarrim hapat e duhur në përgjigje. Me respekt, David Smith, BP.”

Nacionale kishte raportuar po ashtu se personi emri i të cilit figuronte si nënshkrues i dokumentit nuk rezultonte të ishte punonjës i BP-së.

Ndërkohë, për rastin nuk pati reagim publik nga drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje apo nga Qeveria në detyrë, pavarësisht peshës financiare të tenderit dhe dyshimeve të ngritura mbi dokumentacionin e tij.

Tash, sipas informacionit më të ri të siguruar nga burimet e Gazetës Nacionale, çështja është marrë në shqyrtim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Mbetet të shihet nëse pas shqyrtimit fillestar Prokuroria do të ndërmarrë veprime të tjera procedurale dhe nëse do të hetojë përgjegjësinë eventuale të operatorit ekonomik, por edhe mënyrën se si dokumenti kaloi procedurat e verifikimit në një tender publik me vlerë mbi 15 milionë euro.

Lajme të ngjashme