Kurti me injorim miratues për vagonët në Serbi për gjysmë milionë euro, tash e nxjerr Rizvanollin ta relativizojë - NACIONALE

Kurti me injorim miratues për vagonët në Serbi për gjysmë milionë euro, tash e nxjerr Rizvanollin ta relativizojë

41 minuta më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, atëherë kryeministër i Kosovës, ishte njoftuar më 24 maj 2024 për kontratën e Trainkos-it për riparimin e vagonëve në Serbi.

Mesazhin ia kishte dërguar ish-deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, drejtpërdrejt Kurtit në WhatsApp.

Kontrata, sipas tij, cenonte sigurinë kombëtare dhe ishte korruptive.

“Përvec që kjo cënon sigurinë kombëtare sipas vendimit të marrë vitin që shkoi ku kemi ndaluar shërbime dhe mallra nga dhe për në Serbi, kjo kontratë është edhe korruptive”, shkruante Korenica.

Ai e informonte Kurtin se tenderi ishte parashikuar në 388 mijë euro, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerën 423 mijë e 100 euro.

Korenica i tregonte gjithashtu se kompania serbe nuk ishte e licencuar për servisimin ndërkombëtar dhe se ekzistonin alternativa për riparimin e vagonëve.

“Vagonat tashmë janë nisur për në Serbi përmes pikës kufitare Elez Han”, thuhej në mesazhin drejtuar kryeministrit.

Pavarësisht këtij paralajmërimi, vagonët e Trainkos-it, ndërmarrje publike në pronësi të Qeverisë së Kosovës, përfunduan në një punishte në Zrenjanin të Republikës së Serbisë.

Dokumentet e brendshme tregojnë se komisioni për riparimin e mesëm të vagonëve kishte nisur punën në nëntor 2024.

“Komisioni, sipas vendimit nr. 472 të datës 21.09.2024, ka filluar punën në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o. në Zrenjanin më datë 07.11.2024”, thuhet në dokument.

Rasti mori hov publik pasi punëtori i Trainkos-it, Asdren Ademi, kërkoi publikisht që qytetarët të informoheshin për riparimet në Serbi.

Pas reagimit të tij, ndaj Ademit u morën masa disiplinore.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, iu drejtua ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me reagim të ashpër.

“Kjo është turp për ty ministre”, shkroi Haradinaj, duke kërkuar që ajo ta demantonte rastin.

Edhe Burim Ramadani e lidhi kontratën me zhvillimet pas sulmit në Banjskë.

“Pas sulmit në Banjskë, pushteti biznes direkt në Serbi”, shkroi Ramadani.

Ai shtoi se “I japin kontratë Serbisë. Shkojnë në Serbi për renovim të vagonëve. Krejt kjo në vitin 2024”.

Rizvanolli nuk e mohoi se vagonët ishin riparuar në Serbi. Ajo e relativizoi rastin duke iu referuar një praktike të mëhershme.

“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017”, shkroi ministrja.

Sipas saj, procedura kishte nisur gjatë Qeverisë Mustafa dhe ishte përuruar gjatë Qeverisë Haradinaj.

Rizvanolli pyeti gjithashtu nëse AAK-ja kishte kundërshtuar këtë praktikë në vitin 2017, kur ministri i saj Pal Lekaj kishte marrë pjesë në përurimin e vagonëve.

PDK-ja e akuzoi Kurtin se kishte qenë në dijeni dhe kishte heshtur.

“Albin Kurti paska qenë i informuar qysh më 24 maj 2024 për kontratën e Trainkos-it për renovimin e vagonëve në Serbi. I paralajmëruar. I informuar. Në dijeni. Dhe ka heshtur”, deklaroi Blerta Deliu.

Arben Mustafa i PDK-së tha se rasti tregon një kontradiktë mes retorikës së Vetëvendosjes dhe veprimeve të saj në pushtet.

“Albin Kurtit nuk i paska bërë përshtypje riparimi i vagonëve të Trainkosit në Serbi!”, shkroi Mustafa.

Lajme të ngjashme