“Ata kanë nevojë për ne, jo ne për ta”: Trumpi e kërcënon Kanadanë me rritje të taksave
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do t’i rrisë taksat ndaj automjeteve, kamionëve dhe pjesëve të automjeteve nga Kanadaja në 50 për qind nga janari, nga 25 për qind sa janë aktualisht.
Ai e akuzoi Kanadanë për “rrjepje” financiare të vendit të tij me vite, duke vendosur taksa “qesharakisht të larta” ndaj bujqve amerikanë dhe duke thënë se ky shtet “është njëri nga vendet më të këqija në botë për t’u marrë me to”, raporton televizioni BBC.
“Ata kanë nevojë për ne, jo ne për ta! Ata e bëjnë 95 për qind të biznesit të tyre me ShBA-në, ndërsa ne saktësisht të kundërtën” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Ndërtoni në ShBA dhe ka zero taksa” – shkroi më tej presidenti amerikan.
Përfaqësuesi tregtar i Shteteve të Bashkuara, Jamieson Greer, e fajësoi Kanadanë për dështimin e bisedimeve tregtare mes dy vendeve javën e kaluar.
Gjatë fundjavës, megjithatë, kryeministri kanadez, Mark Carney, e fajësoi vendin fqinj për bisedimet e dështuara, duke thënë se amerikanët bënë “ndryshime të minutë së fundit” që ishin “të padrejta” dhe “joekonomike”.