Vojvoda përballet me lëndim muskulor, në mëdyshje grumbullimi me Kosovën - NACIONALE

Vojvoda përballet me lëndim muskulor, në mëdyshje grumbullimi me Kosovën

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Gazeta Nacionale mëson se Mërgim Vojvoda është në rrezik që të mos grumbullohet me Kosovën, pasi ka ndier një dhimbje muskolare.

Nuk ka rehati për Mërgim Vojvodën. Ai sërish është lënduar pak ditë para se të grumbullohet me Kombëtaren e Kosovës. Pikërisht e njëjta situatë siç ndodhte disa javë para se të grumbullohej me "dardanët" në qershor.

Siç bëjnë të ditur burimet e Gazetës Nacionale afër lojtarit, ai gjatë seancës së djeshme stërvitore ka ndier një dhimbje muskulore.

Udhëtimi i tij drejt Kosovës ishte paraparë të ndodhte menjëherë pas mbarimit të ndeshjes së sotme që Torino po e luan kundër Sassuolos si vendës, ku ai nuk është grumbulluar.

Nga ajo seç bëjnë të ditur disa burime të Gazetës Nacionale, Vojvoda do t’i nënshtrohet ekzaminimeve shtesë mjekësore gjatë 48 orëve në vijim. Pra, para se ta marrë dritën jeshile për t’iu bashkuar Kombëtares së Kosovës, ai duhet që ta konfirmojë shkallën e lëndimit.

Sipas të gjitha gjasave, në përjashtim të ndonjë skenari të jashtëzakonshëm, 27-vjeçari nuk do të jetë pjesë e seancës së parë stërvitore që Kosova do ta zhvillojë të hënën. Pastaj mbetet të shihet sesi do të evoluojë situata në lidhje me shqetësimit që ka ndier.

Lëndimi i tretë në katër muaj

Vojvodës nuk po i buzëqesh fati sa i përket lëndimeve, sepse për një hark jo të gjatë kohor, ai është ballafaqur me disa sosh.

Lëndimi në “Bentegodi” më 14 maj ishte fatal për të mos i dhënë hapësirë që të rikuperohej në kohë për katër ndeshjet e Kombëtares së Kosovës që ishin në program gjatë qershorit.

Përkundër vullnetit të madh dhe përpjekjeve maksimale, duke mos e dëgjuar madje as rekomandimin e stafit mjekësor të Torinos që të mos udhëtonte në Prishtinë për t’u bashkuar “dardanëve” – ai vinte, provonte t’ia dilte duke shtrënguar dhëmbët, por pa sukses. Shumë shpejt u kthye në Torino, ende pa u bërë mirë dy ditë që kishte mbërritur në Kosovë.

Lëndim nga i cili rikuperohej dikur në fund të muajit qershor, sa për të qenë gati për fazën parapërgatitore të Torinos, e cila nisi në fillim të muajit korrik, fillimisht në kampin stërvitor të klubit "granata", e më pastaj në Alpet austriake.

Vojvoda gjatë këtij intervali kohor sa skuadra ishte në përgatitje për sezonin e ri, vinte nga një përgatitje individuale për çdo lakmi dhe zili. Gjatë periudhës sa ishte në pushime me familjen në Dubai, jo të gjithë kohën vendoste t'ia dedikonte relaksit dhe pushimit në përgjithësi. Mbrojtësi dardan u ushtrua nën përkujdesjen e një përgatitësi fizik me renome në futbollin botëror dhe sportin në përgjithësi.

Po flasim për kanadezin Nicolas St. Maurice. Në qendrën stërvitore të tij defilojnë emra të mëdhenj të sportit në përgjithësi, nga ata të NBA, NFL e deri te ata të futbollit. Në mesin e futbollistëve që ushtrohen nën vëzhgimin e trajnerit kanadez janë edhe yjet e futbollit si Karim Benzema dhe Trent Alanxander-Arnold

Sido që të jetë, edhe korriku nuk e la pa kokëçarje. Ai gjatë njërës prej ndeshjeve testuese që zhvilloi Torino, pati sërish shqetësim muskolar, i cili e la jashtë skuadrës duke ia humbur ndeshjet e para në kampionat për sezonin e ri.

Në javën e tretë të Serie A ai u rikthye në fushë, për t’i luajtur 34 minuta kundër Cremoneses në fund të takimit. Minutazh gjysmak pati edhe pas një jave kundër Atalantas, ndërsa pozitën e titullarit e riktheu në dy ndeshjet tjera, ku shkëlqeu ndaj Lecces dhe Interit në "San Siro".

Pavarësisht të gjitha peripecive që kanë të bëjnë me lëndimet e pësuara, mbrojtësi 27-vjeç kosovar ia ka dalë që t’i regjistrojë dy asiste në kampionat deri më tani.

Lajme të ngjashme