Ekskluzive: Vojvoda iu bashkua Kosovës pa lejen e Torinos - NACIONALE

Ekskluzive: Vojvoda iu bashkua Kosovës pa lejen e Torinos

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lidhja emocionale e Mërgim Vojvodës me Kosovën, asnjëherë nuk është vënë në dyshim. Një tregues i tillë është edhe rasti i fundit, kur ai iu është bashkangjitur kombëtares dardane pa miratimin e Torinos.

Dëshira dhe vullneti i madh shpesh bëjnë dallimin mbi gjithçka dhe çdo rrethanë. Dëshminë e jep vetë Vojvoda, i cili nuk bën kalkulime kur është në pyetje përfaqësimi i Kosovës.

Burime të sigurta për gazetën Nacionale kanë treguar se si Mërgim Vojvoda nuk e ka dëgjuar kërkesën e stafit mjekësor të Torinos për të mos iu bashkuar grumbullimit të Kosovës ngaqë kishte shfaqur pasion të madh për ta ndihmuar kombëtaren në këtë periudhë të ndjeshme ku e presin katër ndeshje vendimtare në Ligën e Kombeve.

Si ndodhi gjithçka?

Mërgim Vojvoda për një javë të tërë ka shtrënguar dhëmbët, duke u përgatitur qoftë në kushte vetanake, ashtu edhe me direktiva të përgatitësve atletikë në kombëtare. Lëndimi në kyçin e këmbës që pësoi në ndeshjen kampionale të Serie A përballë Veronës në udhëtim më 14 maj, e vendosi mbrojtësin dardan në një situatë të papërshtatshme. Koha e shkurtër për t'u rekuperuar në plotni nga lëndimi, ishte kruciale.

Të shumtë ishin ata që shfaqeshin besimplotë që në fund do t'ia dilte. Ditët në vazhdim demantuan një skenar të tillë. Vojvoda u përpoq në çdo mënyrë që të qendronte në grumbullimin e Kosovës deri në fund, por vullneti nuk mjaftoi. Burime të besueshme pranë lojtarit kanë treguar se ai po vuan edhe një dhimbje në ligament, ku ende nuk dihet shkalla e lëndimit.

Kësisoj, mbrojtësi 27-vjeç ka provuar edhe alternativën e fundit, atë të marrjes së injeksioneve për të parë mos mund t'i parandalonte dhembjet që ndiente, për të vazhduar tutje, po as kjo metodë shërimi nuk kreu punë.

Ashtu siç raportuam të parët në gazetën Nacionale, Vojvoda u detyrua që ta pranonte faktin që nuk do të mund të luante në ndeshjet e qershorit, përkundër dëshirës së pakompromis.

Gjatë orëve të para të mbrëmjes ai përshëndeti bashkëlojtarët dhe stafin teknik, duke u larguar nga hoteli, për t'iu bashkuar gjirit familjar.

Burime të ndryshme gjithashtu kanë bërë të ditur se Vojvoda nuk është kthyer sot në Itali, por një gjë të tillë do ta bëjë gjatë ditës së nesërme, kur do të ekzaminohet shkalla e lëndimit të tij nga stafi mjekësor i Torinos, nga ku do të dihet pastaj edhe kohëzgjatja e rekuperimit të plotë.

Nëse Vojvoda ka treguar vendosmëri për ta bërë një sakrificë të tillë për Kombëtaren e Kosovës, e njëjta nuk mund të thuhet për shumë lojtarë të tjerë, të cilët në të kaluarën nuk kanë shfaqur një gatishmëri të tillë edhe për lëndime shumë më pak serioze, në periudha vendimtare ku Kosova mund të shënonte histori, siç bie fjala para ndeshjes gjysmëfinale të playoff-it përballë Maqedonisë së Veriut.

Thënë ndryshe, shumë pak lojtarë kanë treguar këmbëngulësinë dhe dëshirën e madhe të Vojvodës për t'i vendosur në plan të dytë interesat e ekipeve përkatëse ku aktivizohen para atyre të Kombëtares së Kosovës.

Kosova ndeshjet e Ligës së Kombëve në Ligën C do t'i nisë nga nesër, ku do të luajë si mysafire e Qipros. Ndërkaq, datat tjera kur do të luajë kombëtarja dardane janë më 5, 9 dhe 12 qershor, ku do të ballafaqohet në shtëpi përballë Greqisë dhe Irlandës së Veriut, si dhe në fund do të luajë në Athinë përballë Greqisë.

Në këto ndeshje Kosova do të ketë shumë probleme me mungesa, ku i fundit që iu shtua kësaj liste ishte vetë Mërgim Vojvoda. Veçmas në dy krahët e mbrojtjes, ekipi kombëtar kosovar do të ballafaqohet me kokëçarje të mëdha, marrë parasysh faktin që nuk do t'i kenë në gatishmëri ata që janë lojtarë natyralë në të tilla pozita: Leart Paqarada, Florent Hadërgjonaj dhe Mërgim Vojvoda.

Ndërkaq, nga aspekti personal, Vojvoda do t'i bashkohet Torinos në fazën parapërgatitore që ekipi "granata" në fillim të korrikut do ta zhvillojë në Austri, respektivisht në Bad Leonfelden, afër kufirit me Republikën Çeke dhe në vende tjera malore pranë Alpeve.

Lajme të ngjashme