Mërgim Vojvoda mahnit stafin teknik të Torinos me përgatitjen fizike - NACIONALE

Mërgim Vojvoda mahnit stafin teknik të Torinos me përgatitjen fizike

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Mërgim Vojvoda çdoherë e më shumë është në qendër të projektit të Torinos. Këtë rëndësi ai e ka fituar me shumë mund dhe djersë.

Të hënën Torino ka filluar përgatitjet për sezonin e ri. Lojtarët janë grumbulluar në kampin stërvitor të Filadelfias. Vojvoda pati disa probleme të theksuara fizike në muajt e fundit, pasi pësoi një lëndim në kyçin e këmbës. I njëjti lëndim i kushtoi rëndë, pasi nuk arriti që të luajë qoftë në ndeshjen e fundit në Serie A kundër Romës, ashtu sikur edhe në grumbullimin që Kosova pati për ndeshjet në Ligën e Kombeve.


Në fakt, Vojvoda u ftua nga Kosova. Pastaj, provoi që të stërvitej, por në fund nuk ia doli të qëndronte në grumbullim, pasi akoma nuk ishte rikuperuar nga lëndimi. Ashtu siç pati raportuar gazeta Nacionale, grumbullimit të Kosovës ai i ishte bashkuar duke mos dëgjuar këshillën e mjekëve të Torinos.

Sidoqoftë, në këtë hark kohor Vojvoda nuk qëndroi indiferent ndaj përgatitjeve fizike. Pasi u ndihmua nga stafi mjekësor i Torinos që të shërohej nga lëndimi në kyçin e këmbës, mbrojtësi kosovar filloi pushimet e tij. Por, relaksimit u përkujdes që t'ia shoqërojë edhe përgatitjen fizike intensive. Një gjë të tillë e bëri në Dubai, duke u stërvitur nën drejtimin e njërit prej përgatitësve fizikë më me renome në botën e futbollit.

Konkretisht, po flasim për kanadezin Nicolas St. Maurice. Në qendrën stërvitore të tij defilojnë emra të mëdhenj të sportit në përgjithësi, nga ata të NBA, NFL, e deri te ata të futbollit. Në mesin e futbollistëve që ushtrohen nën vëzhgimin e trajnerit kanadez janë edhe yjet e futbollit si Karim Benzema dhe Trent Alanxander-Arnold.

Në fund, ky intensitet i përgatitjeve fizike i ka dhënë frytet e veta. Përkushtimi për të qenë sa më gati për sezonin e ri dhe nisjen e fazës përgatitore verore me klubin nuk i kanë shkuar huq Vojvodës.

Gazeta Nacionale mëson që Vojvoda është paraqitur në skuadër si njëri prej futbollistëve që kishte përgatitjen fizike më të mirë nga të gjithë të tjerët. Burimet e gazetës Nacionale kanë bërë të ditur që në 48 orë përgatitje fizike Vojvoda ka vrapuar 17 kilometra. Një shifër monstruoze duke njohur faktin se është tek fillimi i seancave stërvitore.

Madje, 17 kilometrat Vojvoda i ka bërë me një ritëm të lartë, që dëshmon edhe një herë se gjithë kujdesi që ia ka kushtuar vetes, duke angazhuar përgatitës fizik të shkallës së parë siç është Nicolas St. Maurice, ia ka vlejtur në fund. Stafi teknik i Torinos është mahnitur me nivelin e përgatitjes së tij.

Mbrojtësi 27-vjeç projektohet si titullar i pakontestueshëm te Torino për sezonin e ri. Ai prapë pritet të luajë në krahun e majtë të fushës, aty ku ka dëshmuar një formë solide që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Aina do të jetë lojtari tjetër që do ta sfidojë Vojvodën në atë pozicion, por deri më tani të gjitha përparësitë janë në të mirën e mbrojtësit dardan që të jetë titullar i rregullt te ekipi i drejtuar nga Ivan Juric.

Lajme të ngjashme