Armend Thaqi: Në futboll s’mbijeton pa karakter dhe motiv, të kesh fat duhet të jesh trim
Armend Thaqi nuk ka mundur ta parafytyronte se ai do të ishte pjesë e një klubi që do ta shkruante historinë e futbollit kosovar kur vendi u pranua në UEFA më 2016, por një gjë në të cilën ai gjithmonë ka besuar është arritja e suksesit përmes punës së zellshme, durimit dhe mosdorëzimit, të cilat janë tiparet e karakterit të tij.
Thaqi ishte ndër lojtarët kyçë që frymëzuan Ballkanin drejt kualifikimit historik në Ligën e Konferencës, duke i ndihmuar atij të bëhet klubi i parë kosovar që siguron pjesëmarrjen në fazën grupore të një gare të madhe evropiane.
“Në çastin kur futbolli jonë u pranua në UEFA dhe FIFA, atëherë kemi parë një lloj shprese për përmirësimin e gjendjes, mirëpo asnjëherë nuk kam menduar që do jemi ne ekipi i parë që do bëjmë histori. Mirëpo e patëm fatin që të jemi ne dhe ndihemi shumë krenarë”, thotë Thaqi për Gazetën Nacionale.

Thaqi cilësohet si lojtari më i mirë në Superligën e Kosovës në vitet e fundit dhe në moshën 29-vjeçari ai është shembulli më i mirë se si suksesi mund të arrihet nëse punon me përkushtim dhe nuk heq dorë pavarësisht se sa kohë e gjatë mund të të duhet të presësh.
“Një gjë mund ta them: çdo gjë kthehet, nuk humb puna asnjëherë dhe mundi gjithmonë do shpërblehet”, këmbëngul ai.
“Asnjë moment nuk vjen në shprehje dorëzimi për ta ngritur nivelin apo diçka më shumë, sepse rrugën e vetme për sukses e shoh te puna dhe te regjimi si sportist. Në momentin që një futbollist nuk e ka motivimin për punë në stërvitje, motivimin për t’u përmirësuar çdo ditë, atëherë nuk e ka rrugën e gjatë në sport, sepse motivi dhe karakteri janë primarë”, nënvizoi Thaqi për Nacionale.
Ai e nisi karrierën në vitin 2003 në klubin lokal, KEK, në Obiliq, para se të debutonte në ekipin e parë në moshën 17-vjeçare.
19 vite më vonë, Thaqi e arriti kulmin, duke i ndihmuar Ballkanit - të cilit iu bashkua më 2020 - ta fitojë titullin e parë në Superligë në historinë e klubit dhe të kualifikohet në një garë të madhe evropiane qysh në tentimin e parë. Para këtij viti, Ballkani nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në kualifikime për garat evropiane.
Në suksesin historik të Ballkanit në Evropë, Thaqi ishte vendimtar duke i dhuruar pesë asiste në gjashtë ndeshje kualifikues për kampionin e Kosovës.
Rrugëtimi i tij në futbollin e varfër kosovar nuk ka qenë aspak i lehtë por përkushtimi dhe besimi i madh e kanë bërë atë që është sot.
“Kam pasur shumë vështirësi dhe shumë sakrifica në atë kohë, sepse po t’i krahasojmë kushtet e atëhershme me të sotmet, them lirisht se dallojnë për 360 shkallë, përfshirë shumë gjëra të tjera përcjellëse”, nënvizoi ai për Nacionale.
Thaqi theksoi: “Unë futbollin e kam filluar sepse e dua këtë sport dhe asnjëherë të vetme nuk kam menduar të dorëzohem, por çdo ditë mundohem të mësoj nga kjo lojë nga stërvitjet nga të gjitha gjërat, sepse gjithë përkushtimi im është te puna dhe asgjë tjetër. Gjithmonë kam besuar se çelësi i suksesit është vetëm puna e madhe sepse vetëm me punë e përgatitje je në gjendje të tregosh diçka më shumë se të tjerët. Unë besoj te puna ime, te regjimi im që e mbaj si sportist dhe do të vazhdoj me mënyrën e njëjtë deri në ditën e fundit kur do merrem me futboll sepse për mua është rruga e vetme e suksesit kjo.”

Suksesi i paparë i Ballkanit te një klub kosovar deri më sot është cilësuar si i arritur me ndihmën e madhe të fatit, por Thaqi këmbëngul se fatit duhet t’i paraprish dhe se kjo erdhi falë punës ekipore dhe trajnerit Ilir Daja.
“Çelësi i suksesit ishte grupi, që jemi bashkë për më shumë se dy vite dhe njihemi mes vete shumë mirë dhe trajneri Ilir Daja, i cili e ka gjetur mënyrën e përkryer për ta drejtuar ekipin dhe gjithë grupin. Po thonë që fati ka qenë me ne, mirëpo thuhet që fati përcjell trimat dhe ne e kemi shfrytëzuar më së miri këtë aspekt”, vazhdoi Thaqi për Nacionale.
Mbrojtësi i djathtë është i përulur dhe dëshiron që puna e tij të flasë: “Kam 5 asiste në këto ndeshjet evropiane dhe kjo më bën shumë krenar, sepse e kam ndihmuar ekipin, mirëpo asnjëherë nuk mund të marr lëvdata vetjake përsipër unë, sepse pa bashkëlojtarët e mi nuk do të kisha mundur të bëja asgjë”.
Thaqi është lojtari aktual i Superligës që është thirrur më së shpeshti nga Kombëtarja e Kosovës por atij nuk i është dhënë asnjëherë mundësia për ta treguar veten edhe për atdheun.
Ai i ka bërë vetëm tri paraqitje si titullar në ndeshje miqësore por asnjëherë në ndeshje garuese.
“Thirrja nga kombëtarja e Kosovës gjithmonë do ishte nder dhe krenari sepse është fanellë e shenjtë ajo kur përfaqëson vendin tënd, vendin ku je rritur.
Ekipi kosovar do të grumbullohet për ndeshjet e fundit të këtij viti këtë muaj dhe Thaqi ndihet i gatshëm nëse merr ftesë: “Është selektori ai që vendos a e meritoj apo jo ftesën dhe minutat, e imja është të punoj dhe të jem 100% gati.”


