Ballkani shkruan historinë duke u kualifikuar në Ligën e Konferencës pasi e mundi Shkupin në play-off
Ballkani e ka shkruar historinë duke u bërë klubi i parë kosovar që kualifikohet në një garë të madhe evropiane, pasi e tejkaloi Shkupin në play-off të kualifikimeve për një vend në fazën gruporë të Ligës së Konferencës.
Kampioni i Kosovës e mposhti 1:0 një Shkup që luajti tërë kohën me 10 futbollistë në ndeshjen e kthimit në Prishtinë të enjten, dhe e siguroi një vend në fazën grupore në garën e kategorisë së tretë të futbollit evropian me rezultat të përgjithshëm 3:1 pas dy ndeshjeve.
Asnjë klub kosovar nuk ka arritur të marrë pjesë në njërën prej tri garave të UEFA-s, Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës apo Ligën e Konferencës, pas pranimit të vendit në shtëpinë e futbollit evropian.
Më së largu që një klub kosovar kishte arritur deri sivjet ishte rrethi i tretë kualifikues i Ligës së Konferencës.
Ballkani ia doli ta bëjë këtë në tentimin e parë, pasi asnjëherë më parë nuk kishte marrë pjesë në kualifikime për një garë evropiane.
Ndeshja e dytë mes Ballkanit e Shkupit
Pas ndeshjes së parë të luajtur në Teodor Proeski në Shkup, ku Ballkani triumfoi ndaj Shkupi me rezultat 2:1, radha ishte e ndeshjes së kthimit në Fadil Vokrri.
Stadiumi i kryeqytetit ishte i mbushur me tifozë si kurrë më parë, madje nuk mbahet mend të ketë pasur aq shumë në tribuna as në ndeshjet e Kombëtares së Kosovës.
Për Ballkanin gjithçka filloi mirë, pasi qysh në minutën e dytë të takimit, mbrojtësi i skuadrës mysafire, Xhelil Abdullahi, u ndëshkua me karton të kuq, kështu duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak për gati të gjithë takimin.

Menjëherë filloi kontrollimi i lojës nga kampioni i Kosovës, duke rrezikuar me anë të gjuajtjes së lirë në minutën e tretë, por goditja e Nazmi Gripshit përfundoi fare pranë portës.
Edhe rasti tjetër në vijim i takoi Ballkanit, kësaj radhe goditi Armend Thaqi, por goditja e tij u devijua nga vija mbrojtëse.
Shkupi meqë kishte një lojtar më pak, po dështonte të merrte lojën në dorë dhe nuk mundte të krijonte asnjë rast për të rrezikuar portën e Stivi Frashërit.
Albion Rrahmani kishte një mundësi të artë, pasi që përmes një kundërsulmi Ballkani doli në situatë 3 me 1, por sulmuesi llapjan dështoi ta kontrollonte topin.
Kur kishin mbetur edhe pesë minuta deri në përfundim të pjesës së parë, Ermal Krasniqi kishte rastin më të mirë në ndeshje, duke goditur fort, por që portieri Naumovski ishte në vend duke intervenuar mrekullisht.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë 0:0.
Edhe në pjesën e dytë skuadra e Ilir Dajës ishte më kërkuese, dhe po kontrollonte tempon e lojës.
Rasti i parë në këtë pjesë i takoi Armend Thaqit që me një goditje të fortë rrezikoi, por topin e devijoi vija e mbrojtjes në rivënie këndore. Menjëherë në atë rast nga harkimi i Thaqit, rrezikoi Dellova me kokë, por goditja shkoi jashtë.
Goli i historisë erdhi në minutën e 69-të të takimit, ku Meriton Korenica realizoi nga afërsia për rezultatin 1:0. Kështu duke i dhënë më shumë shpresë skuadrës kampione të Kosovës.

Ballkani nuk e ndali hovin aspak edhe pas golit të shënuar, ishte Korenica sërish që rrezikoi, por kësaj radhe portieri mysafir e priti mirë, ndërsa nga topi i kthyer Thaqi dështoi të realizonte.
Kështu me rezultat 1:0, me golin e Korenicës në minutën e 69-të, Ballkani u kualifikua në fazën grupore të Ligës së Konferencës, duke bërë historinë për futbollin kosovar.
Festa e skuadrës së Ballkanit pas fitores historike










