Lindon Emërllahu lojtari më i vlefshëm në histori të Superligës së Kosovës - NACIONALE

Lindon Emërllahu lojtari më i vlefshëm në histori të Superligës së Kosovës

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Përditësimi i ri në faqën e njohur për vlerën e lojtarëve, Transfermarkt, e ka vendosur yllin e Ballkanit, Lindon Emërllahun, si futbollistin më të vlefshëm në histori të Superligës së Kosovës.

Mesfushori me tipare mbrojtëse jo vetëm që ka vlerën më të lartë në futbollin kosovar, por ka thyer rekordin si më i vlefshmi në Superligë ndonjëherë.

Vlera e tij sipas Transfermarkt shkon në 1 milionë euro, 200 mijë më shumë se ndjekësi më i afërt nga Kosova, që është Drilon Hazrollaj.

Ndërkaq janë thyer edhe rekorde të tjera me këtë përditësim.

Sulmuesi i talentuar i Dukagjinit, Hekuran Berisha, ka pësuar rritjen më të madhe në vlerë.

19-vjeçari që po kalon formë të jashtëzakonshme me skuadrën nga Klina që udhëhiqet nga Ismet Munishi, ka pësuar rritje 2900%.

Vlera e tij para përditësimit ishte 10 mijë euro, teksa sot për sot ai vlerësohet hiç më pak se 300 mijë euro.

Në top 5 nga futbollistët më të vlefshëm nga Kosova hyn Albin Krasniqi i Prishtinës me 500 mijë euro vlerë, aq sa vlerësohet edhe Etnik Brruti i Malishevës.

Lojtari i huaj më i vlerësuar është ylli i Ballkanit, Giovanni, që ka vlerë 900 mijë euro.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, ndonëse nuk është në vendin e parë në Superligë, ajo e ka ruajtur vendin e parë si skuadra më e vlefshme.

Vlera e saj në Trasnfermarkt është 6.33 milionë euro, apo 2.3% më e lartë se herën e kaluar. Ndjekësi më i afërt është Drita, që ka vlerë 5.26 milionë euro.

Rritjen më të madhe në përditësimin e fundit e ka pasur, Ferizaj me 53.3%, teksa rritje të madhe kanë pasur edhe Suhareka e Dukagjini që janë rritur për 26.4% dhe 19.8%, respektivisht.

Rënien më të madhe e ka Feronikeli 74, ku vlera e saj është ulur për 32.6% në përditësimin e fundit.

Vlera totale e Superligës së Kosovës është rritur për 4.7%. Ishte 36.34 milionë euro, ndërsa sot është 38.07 milionë euro.

Lajme të ngjashme