Ballkani një hap larg fazës së grupeve, fiton me përmbysje përballjen e parë ndaj Shkupit - NACIONALE

Ballkani një hap larg fazës së grupeve, fiton me përmbysje përballjen e parë ndaj Shkupit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

FC Ballkani është shumë pranë të shkruajë historinë për t'u bërë skuadra e parë kosovare që e prek fazën e grupeve, pasi ditën e enjte mposhti në udhëtim Shkupin në kuadër të ndeshjes së parë për raundin e play-off të Ligës së Konferencës.

"Xhebrailat" zhvilluan lojë të bukur si mysafir i skuadrës nga Maqedonia e Veriut, duke fituar me rezultat të ngushtë 1:2.

Sfida ishte e barabartë nga minuta e parë me vendasit që kishin disa raste më të mira në fillimin e takimit.

Shkupi fillimisht kaloi në epërsi përmes qendërsulmuesit nigerian Sunday Adetunji, i cili shënoi me kokë pas një harkimi nga afërsia dhe ndoshta një gabimi të portierit që la një hapësirë të madhe të zbrazur.

Sidoqoftë, me golin e pësuar skuadra e Ilir Dajës u këndell duke nisur të ketë posedim e arriti ta barazojë rezultatin vetëm katër minuta më vonë.

Një harkim i mrekullueshëm i Armend Thaqit gjeti për mrekulli Albion Rrahmanin, i cili me një goditje vollej nga afërsia shënoi në portën e Shkupit për epilogun 1:1.

Dy skuadra tutje kishin raste të tjera shënimi, por që nuk i konkretizuan andaj rezultati i kësaj pjesë rezultoi të jetë 1:1.

Edhe 45-minutëshin e dytë, Shkupi u tregua në fillim më agresive duke tentuar disa herë nga distanca përmes disa gjuajtjeve të fuqishme, mirëpo portieri Ljuljanovic ishte në vendin dhe kohën e duhur.

Ishte mesfushori Meriton Korenica që i dha epërsinë Ballkanit për herë të parë në ndeshje me një eurogol nga distanca që la të shtangur portierin vendas (67').

Shkupi pastaj provoi ta barazojë rezultatin, duke pasur një rast të mirë mirëpo fatmirësisht nuk përfundoi në rrjetë, me Adetunjin që goditi traversën.

Në fakt, nigeriani gjeti rrugën drejtë rrjetës nëntë minuta pa përfunduar koha e rregullt duke shënuar sërish me kokë, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje (81').

Kështu, Ballkani bën hapin e madh drejtë fazës grupore duke fituar ndeshjen e parë të raundit të play-off, e atë kthyese do ta zhvillojë një javë më vonë në Kosovë, pra në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Lajme të ngjashme