Kosova harron Vocën dhe Sahitin, edhe pse kanë minutazh më të madh sesa një pjesë e lojtarëve të ftuar - NACIONALE

Kosova harron Vocën dhe Sahitin, edhe pse kanë minutazh më të madh sesa një pjesë e lojtarëve të ftuar

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Dje u bë publike lista e Kosovës për dy ndeshjet e fundit që “dardanët” do t’i luajnë në muajin shtator. Si çdoherë, edhe kësaj radhe lista e lojtarëve prodhoi debat. Përveç Armend Thaqit, munguan Voca dhe Sahiti.

Ndonëse janë dy ndeshje pa peshë, sepse Kosova ka humbur mundësinë e kalimit në rrethin e playoffit, pasi u mposht dy herë nga Greqia në përballjet direkte – sërish ato janë në qendër të vëmendjes për futbolldashësit kosovar.

Shpesh është vënë në pikëpyetje nëse respektohet shkalla e meritokracisë në ftesat që u bëhen lojtarëve. Një mëdyshje që mund të quhet e vlefshme dhe aktuale edhe për rastin e fundit.

Mungesa e Armend Thaqit, nëse kemi parasysh rendimentin e fundit që po kalon, është eklatante. Jo rastësisht kjo trazoi një reagim publik të madh, i cili ngriti pluhur të madh në mesin e gazetarëve, opinionistëve të futbollit vendor, si dhe ndjekësve tjerë të futbollit.

Mirëpo shumë pak veta e vunë theksin te dy mungesa që fare mirë mund të ishin pjesë e listës, gjithmonë nëse i referohemi meritokracisë, si kriter i patjetërsueshëm.

Voca lihet jashtë, ani se ka deri në trefish më shumë minutazh sesa disa mesfushorë

Nëse i lëmë anash emrat e ftuar në mesfushë nga Superliga e Kosovës si Emërllahu apo Krasniqi (Krasniqi në ndeshjet me Kombëtaren e Kosovës U21 ka luajtur në pozitën e mesfushorit balancues, ndryshe nga seç përformon me Llapin), lojtarët tjerë që vijnë nga kampionatet e jashtme nuk janë në ndonjë momentum të kënaqshëm.

Mesfushori kosovar, Idriz Voca, është titullar i paprekshëm në Serie B me skuadrën e Cosenzas gjatë këtij fillimi të sezonit. Ambientimi i tij në skemat e kalabrezëve u vonua, pasi kaloi një periudhë fillestare gjashtë mujore kur më shumë u la në stol.

Sidoqoftë, sezoni i ri ka sjellë një fytyrë të re të Vocës, për të qenë kështu një lojtar që di të jetë proaktiv dhe i kudondodhur me Cosenzan.

As kjo formë e mirë që po gëzon ai nuk e bindi stafin teknik të Kombëtares së Kosovës që ta ftojë. Çuditërisht, u ftuan lojtarë që kanë dyfishin (e me raste edhe trefishin) më pak të minutave të Vocës. Fjala është për Loshajn, Hekuran Kryeziun dhe Domgjonin.

Dy të parët nuk është se po shkëlqejnë te skuadrat e tyre, ndërsa Domgjoni për hir të vërtetës vjen nga një lëndim, i cili e ka lënë atë jashtë fushës për disa javë.

Në rastin e Hekuran Kryeziut, dihet se ai ka vuajtur gjatë dhe rëndë lëndimin famëkeq që pësoi në prillin e 2019-ës me fanellën e Zurichit. Lëndim i cili i mori mbi shtatë muaj kohë që të rikuperohej, por në fakt më nuk u kthye asnjëherë i njëjti, pasi për një periudhë të gjatë kohore mbeti pa ekip, deri kur në afatin e fundit kalimtar veror Winterthur besoi tek ai, duke e zyrtarizuar si lojtar i lirë.

Megjithatë, Hekuran Kryeziu nëse gjykohet nga retrospektiva nuk është se ofron panoramën më objektive të mundshme. Një mesfushor 29-vjeç, deri më tani në vështirësi për ta rimarrë ritmin e ndeshjeve, mund edhe të lihej jashtë listës, për të afruar një lojtar si Voca. Kujtojmë se ky i fundit ka më shumë se trefishin e minutazhit të Kryeziut. Njashtu, për momentin që po flasim gëzon edhe një përgatitje fizike shumë më të mirë.

Padyshim, prtishmëritë nuk bën dhe s’duhet të rritën. Kosova ka luajtur me Vocën. Kosova ka pasur Vocën në radhët e veta. Nuk është se ka bërë dallimin në fushë në ndonjë nga paraqitjet që ka zhvilluar, por nëse i referohemi shkallës së meritokracisë, ai së voni vjen nga një formë sa e sa më konsistente sesa tre mesfushorët tjerë të sipërpërmendur.

Sahiti ndër të paktë sulmues të krahut me minutazh, por pa ftesë te Kosova

Rashani, Rashica, Zeneli dhe paksa edhe vetë Zhegrova – që të gjithë po përballën me një emërues të përbashkët: mungesën e minutazhit të duhur. Diçka që nuk mund të thuhet edhe për Emir Sahitin, por ai është lënë jashtë listës nga Giresse.

Kosova gjithmonë ka pasur luksin të llogarisë në shumë alternativa sa i përket dy krahëve në fazën ofensive. Kësaj radhe është një situatë më e keqe, pasi lojtarët e përmendur më lart, të cilët kanë mbajtur barrën e lojës te Kombëtarja “dardane” – tani gjenden në një ngërç të madh.

Emir Sahiti ishte ftuar nga Kosova pikërisht që të mund të ishte një opsion adekuat për situata të tilla, kur lojtarët si Zeneli, Zhegrova apo Rashica ose nuk do të ishin në elementin e tyre më të mirë, ose do të mungonin për arsye të lëndimeve.

E vërteta është se Sahiti ka thuajse dyfishin e minutazhit të Zenelit dhe një formë e minutazh po ashtu më të mirë sesa vetë Rashani apo Rashica, por që siç duket nuk kanë qenë tipare bindëse për Alain Giresse që të ishte pjesë e kontingjentit të lojtarëve për dy ndeshjet e fundit të “dardanëve”.

Sahiti akoma nuk ka gjetur golin e parë në edicionin 2022/2023 në kampionatin kroat, por është thuajse gjithnjë pjesë e XI-shës së parë, aq më shumë në javët e fundit, pasi ka rikthyer përgatitjen fizike në gjendje optimale.

Lajme të ngjashme