Kosova e rikthen Leart Paqaradën dhe fton disa lojtarë të Superligës për ndeshjet e shtatorit - NACIONALE

Kosova e rikthen Leart Paqaradën dhe fton disa lojtarë të Superligës për ndeshjet e shtatorit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Leart Paqarada është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për herë të parë që prej kur njoftoi largimin për shkak të pakënaqësive me ish-trajnerin, në një listë me shumë ndryshime për ndeshjet e shtatorit.

Përveç kthimit të Paqaradës dhe disa futbollistëve të tjerë, trajneri Alain Giresse i ka ftuar edhe tre lojtarë të Superligës vendore, raporton Nacionale.

Kosova do të përballet me Irlandën Veriore në udhëtim më 24 shtator, para se ta presë në Prishtinë Qipron tri ditë më vonë në ndeshjen përmbyllëse të grupit 2 në Ligën C të Ligës së kombeve.

Ilir Krasniqi i Llapit dhe Lindon Emerllahu i Ballkanit janë ftuar për herë të parë nga kombëtarja dardane. Atyre iu bashkohet nga Superliga edhe Lumbardh Dellova i kampionit të Superligës.

Për herë është ftuar edhe Shkëlqim Vladi i klubit zviceran Aarau.

Florent Hadergjonaj, Bersant Celina dhe Elbasan Rashani rikthehen nën urdhrat e trajnerit francez pasi munguan në grumbullimin e kaluar në qershor për arsyeje të ndryshme.

Hekuran Kryeziu, i cili pas një kohe të gjatë pa skuadër iu bashkua klubit zviceran Winterthur muajin e kaluar, është kthyer në kombëtare pas një mungese shumë të gjatë shkaku i lëndimeve.

Mesfushori 29-vjeçar nuk ka luajtur për Kosovën që prej marsit 2021, në fitoren kundër Maltës në kualifikime për Kupën e Botës 2022.

Rikthimi i shumëpritur i Leart Paqaradës

Leart Paqarada shkaktoi shumë polemika në mars të vitit 2021 kur vendosi ta braktisë Kombëtaren e Kosovës përkohësisht, për shkak të trajnerit të atëhershëm Bernard Challandes, të cilin e pati akuzuar për mungesë respekti dhe për injorim.

Mbrojtësi i majtë i St. Pauli Paqarada ishte pjesë e grumbullimit të Kosovës për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në fund të marsit, por nuk luajti asnjë minutë, megjithëse Challandes përballej me mungesa në mbrojtje.

Paqarada ka qenë vazhdimisht ndër zgjedhjet e fundit të Challandes në ekipin e parë të Kosovës që prej vitit 2018, megjithëse është ftuar vazhdimisht.

Pasi u la në stol në dy ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në mars, Paqarada njoftoi se po largohej nga Kosova për aq kohë sa Challandes do të ishte në krye të ekipit kombëtar.

Dhe pas më pak se dy viteve mungesë dhe gati një viti që prej shkarkimit të Challandes, Paqaradës i erdhi thirrja nga Kosova për t’u kthyer në Kombëtare.

Kosova nuk ka për çfarë të luajë në dy ndeshjet e fundit në grup, pasi e ka humbur mundësinë për ta fituar grupin dhe rrjedhimisht promovimin në Ligën B, pasi renditet e dyta me gjashtë pikë, mbrapa lideres Greqisë që ka 12.

Prandaj përballjet me Irlandën Veriore dhe Qipron janë parë si mundësi e mirë për t'u dhënë hapësirë prurjeve të reja në Kombëtare.

Lajme të ngjashme