Dy ndeshje, vetëm tetë minuta lojë – Rashica e nis pa bujë aventurën te Galatasaray - NACIONALE

Dy ndeshje, vetëm tetë minuta lojë – Rashica e nis pa bujë aventurën te Galatasaray

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në ditën e fundit të afatit kalimtar veror në Turqi, Galatasaray prezantoi Milot Rashicën si njërin ndër lojtarët e shumtë që afroi në gjirin e vet. Mirëpo sulmuesi kosovar deri më tani ka luajtur vetëm tetë për minuta për gjigantin turk.

Për Milot Rashicën muajt e verës ishin të vështira, aq më shumë pasi Norwichi ra nga Premierliga dhe ai këtë fakt nuk është se e ka kapërdirë mirë. Një gjë të tillë ditë më parë e deklaroi edhe trajneri i skuadrës angleze, Dean Smith.

Kësisoj, ai me kënaqësi vendosi ta pranojë ofertën e Galatasarayt për t’u transferuar në formë huazimi për një sezon. Megjithatë, qëkur ka kaluar në radhët e klubit nga Stambolli, nuk është vënë re ndonjë përshtatje kushedi sa e mirë e tij.

Sigurisht, akoma herët është për të dhënë përfundime, por në krahasim me shumicën e lojtarëve tjerë që janë transferuar në të njëjtën kohë te Galatasaray, Rashica është ai deri në këtë periudhë kohore që po has më në vështirësi.

I papërfshirë në lojë kundër Konyasporit

Nëse në ndeshjen e kaluar ndaj Kasimpasas luajti për 8 minuta, duke u inkuadruar në fushë në fund të ndeshjes, e njëjta nuk vleu edhe për derbin që Galatasaray luajti sot ndaj Konyasporit, rival tek i cili luajti titullar bashkëkombësi i Rashicës dhe njëherazi lojtari i Kombëtares së Kosovës, Sinan Bytyqi.

Madje, Milot Rashica nuk u pa as duke bërë nxemjen për të hyrë në lojë në pjesë të dytë. Të paktën nuk ishte në fokus të kamerave. Ndryshe nga ai, Icardi dhe Torreira kanë filluar që të marrin minutat e tyre, së bashku me Mertens që u transferua disa ditë më herët si lojtar i lirë, pasi nuk kishte gjetur gjuhën e pajtimit me Napolin për vazhdimin e kontratës.

Marrë parasysh konkurrencën që është te Galatasaray, atëherë nuk është aspak e thënë që Rashica do ta ketë të lehtë që ta çimentojë një pozitë titullari në skuadër, sepse alternativat që ka në gatishmëri trajneri Okan Buruk në fazën sulmuese janë të shumta dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për lojtarë qoftë me përvojë, ashtu edhe të një kalibri të madh.

Gjithsesi, pas ndeshjes së sontme që Galatasaray e fitoi me rezultat 2:1 kundër Konyasporit dhe që i mundësoi ta marrë primatin në kampionatin turk, Milot Rashica do të udhëtojë në drejtim të Kosovës, ku e pret grumbullimi me “dardanët” në prag të dy ndeshjeve që do t’i luajnë në Ligën e Kombeve, respektivisht kundër Irlandës Veriore më 24 shtator në udhëtim dhe Qipros më 27 shtator në “Fadil Vokrri”.

Minutazhi i Rashicës gjatë javëve të fundit ka lënë shumë për të dëshiruar, por për fatin e tij të mirë nuk është se lojtarët tjerë të Kosovës që mbulojnë të njëjtat pozita vijnë nga ndonjë formë më e mirë. Me pak fjalë, pavarësisht se ndeshjet e Kosovës në vijim nuk premtojnë shumë dhe nuk kanë peshë (sepse është humbur mundësia për të përfunduar të parët në grup), gjithçka do të jetë e hapur sa i përket lojtarëve që do të mund të luajnë në dy krahët e sulmit.

Lajme të ngjashme