Galatasaray konfirmon huazimin e Milot Rashicës, zbulohet paga që do të përfitojë - NACIONALE

Galatasaray konfirmon huazimin e Milot Rashicës, zbulohet paga që do të përfitojë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë s’ka asnjë dilemë. Milot Rashica do të jetë lojtar i Galatasarayt për edicionin 2022/2023. Një gjë të tillë e ka konfirmuar klubi turk para pak çastesh.

Milot Rashica i jep fund tani për tani kapitullit në futbollin anglez. Ai është pajtuar me kushtet e kontratës që ia ka ofruar Galatasaray.

Vetë klubi turk me anë të një njoftimi në rrjetin social “Twitter” ka bërë të ditur arritjen e ujdisë rreth kushteve personale me sulmuesin 26-vjeçar kosovar.

Kalimi i tij në Galatasaray do të jetë në formë huazimi për një vit, ku Galatasaray do t’i paguajë atij 1,5 milionë euro pagë vjetore.

Çfarë tha trajneri i Norwich gjatë ditës për largimin e Rashicës?

Trajneri i Norwich Cityt, Dean Smith theksoi se sulmuesi Milot Rashica u largua pasi humbi vendin dhe që ka mbetur i zemëruar që nuk zhvilloi minuta sa duhet.

Kosovari ateroi në Stamboll në orët e mëngjesit, ku do të kryejë testet mjekësore para se të nënshkruajë kontratën në formë huazimi me Galatasaray.

Në konferencë për media, Smith që nuk e kishte ftuar fare Rashicën në këto tre ndeshjet e fundit, ka treguar se lojtari ka mbetur i zemëruar që humbi pozitën, derisa beson se largimi i tij është fitore për dy palët.

"Miloti ka qenë i zemëruar që nuk ka luajtur dhe kjo i dha shansin që të shkojë dhe të luajë në një fazë të mirë të futbollit dhe për një klub shumë të mirë".

"Është një marrëveshje që të gjithë menduam se është e mirë, për klubin që ta lejojë të luaj dhe ai donte të shkonte gjithashtu. Pra është një fitore për dy palët".

Smith deklaroi se Rashica ka punuar shumë, mirëpo që humbi pastaj vendin në formacionin bazë pasi nuk luajti në standardet që ai priste.

"Ai ka punuar tepër shumë, por ndonjëherë thjeshtë nuk ndodh. Ai doli nga skuadra kur mendova se nuk ka luajtur në standardet që mundet dhe lejoi njerëzit e tjerë ta marrin atë mundësi. Kur ndodh kjo, bie nga renditja".

Në fund, Smith shtoi se ishte goditje e madhe për Rashicën që nuk luante më në Premierligë, prandaj edhe pranoi kalimin te Galatasaray.

"Ai u transferua si lojtar i Premierligës dhe ne nuk mund ta harrojmë këtë. Mentalisht ishte goditje e madhe për të që nuk do të luajë në Premierligë më. Miloti u kthye gati për të luftuar, por një shans e ka pasur që të shkojë dhe të luajë në nivelin e lartë sërish".

"Ai dëshironte ta pranonte dhe ne jemi të lumtur për të që bëri kështu me opsionet që kemi ne", përfundoi ai.

Lajme të ngjashme