Trajneri i Norwich Cityt: Rashica u ble për një vlerë shumë të lartë, u stërvit mirë së fundmi
Trajneri i Norwich Cityt, Dean Smith thotë se sulmuesi Milot Rashica është blerë për një vlerë mjaftë të lartë, andaj duhet ta tregojë kualitetin.
Koha e kosovarit te skuadra angleze nuk është duke funksionuar më së miri, ku së fundmi Smith e përjashtoi nga skuadra.
Mirëpo, Rashica menjëherë pas këtij incidenti ka nisur të punojë më shumë, me Smith që reagoi se është stërvitur mirë në seancën e fundit stërvitore.
“Që atëherë kemi bërë vetëm një seancë stërvitore. Ai u stërvit mirë. U ula dhe i shpjegova arsyet e mia siç i kam bërë me Adam Idah dhe Jordan Hugill. Kështu besoj se duhet të jetë dhe më pas i takon lojtarëve të më ndryshojnë mendje”.
Smith nënvizoi se Rashica është blerë një vlerë mjaftë të lartë, andaj duhet të jep më shumë, duke shtuar se vetë kosovari synon të bëhet më i mirë.
“Ai ka pak vetëbesim për momentin, siç mund të jenë lojtarët. Ai ka marrë një asistim për golin e Max (Aarons) kundër Wiganit, por ai nënshkroi si një nënshkrim me para të mëdha në Premierligë dhe ai dëshiron të luajë në nivelin më të lartë”.
“Duke qenë në kampionat, ai me siguri pret pak më shumë nga vetja. Ai po punon shumë për këtë. Nuk ka dyshim për dëshirën dhe qëndrimin e tij. Ai dëshiron të jetë një lojtar i mirë dhe ne po e ndihmojmë atë me këtë”.
Në fund, Smith që e kërkoi Rashicën sa ishte pjesë e Aston Villas deklaroi se anësori mbetet i rëndësishëm në skuadër dhe në fazën parapërgatitore ishte në formë të mirë.
“Kur ai u kthye për para-sezon, të gjithë numrat e tij po tregonin në drejtimin e duhur, kështu që nuk është për dëshirën për të provuar. Ai është një lojtar i rëndësishëm për skuadrën tonë”, përfundoi Smith në konferencë për shtyp.
Ndërkohë, Rashica këtë edicion në Championship me Norwichin ka zhvilluar katër ndeshje në të gjitha garat, duke dhuruar vetëm një asistim.
