Kohë të vështira për Milot Rashicën te Norwich City
Ylli i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica është duke kaluar një periudhë të vështirë te Norwich City.
Anësori iu bashkua skuadrës angleze në verën e vitit 2020 pasi Werder Bremer ra në Bundesliga 2, por nuk gjeti formën më të mirë që e kishte te klubi gjerman.
Pas një viti te Norwich, Rashica nuk zhvilloi paraqitjet më të mira të mundshme, por gjithmonë kishte mbështetjen e trajnerit dhe tifozëve, duke qenë i pazëvendësueshëm në formacionin bazë.
Mirëpo, këtë edicion asgjë nuk është duke i ecur për së mbari. Sezonin e nisi si titullar në Championship, por pastaj humbi vendin e së fundmi as nuk u ftua në skuadër.
Këtë edicion zhvilloi vetëm katër paraqitje në kategorinë e dytë në futbollin anglez, duke luajtur 226 minuta.
Fillimisht, ishte titullar në ndeshjet e para duke zhvilluar 84 minuta në humbjen ndaj Cardiff, pastaj 77 minuta kundër Wigan, ndërsa 58 minuta në humbjen tjetër ndaj Hull Cityt.
Në ndeshjen e katërt, ai e humbi vendin në 11-shen bazë të trajnerit Dean Smith, duke zhvilluar vetëm shtatë minuta në fitoren kundër Huddersfield pastaj qëndroi gjatë tërë kohës në stol në fitoren kundër Millwall.
Por, problemet u panë haptas gjatë sfidës së fundit kundër Sunderland, ku udhëtoi me skuadrën e pastaj trajneri nuk e la të qëndrojë as në stol.
I pyetur se pse Rashica mungoi, Smith ishte shumë i qartë: Ai nuk e ka merituar të jetë me ne.
"Je duke lexuar shumë gjëra për të. Mendoj se nuk ka bërë mjaftueshëm që të jetë në formacionin bazë ose me skuadrën sot”, ishte përgjigja e drejtpërdrejtë e ish trajnerit të Aston Villas.
Kjo vërtetë ishte një befasi e madhe, duke marrë parasysh se muajin e kaluar Smith deklaronte se është mahnitur nga Rashica në stërvitje dhe që do të vazhdojë të Norwichi.
“Asnjë pyetje për Milotin. Ai është ai që ne duam ta mbajmë këtu. Natyrisht që të gjithë lojtarët duan të luajnë në krye, në nivelin më të lartë që munden. Ishte një sezon i vështirë për Milot, sezoni i tij i parë në Angli. Ai shënoi vetëm një gol. Është diçka që ai dëshiron ta përmirësojë këtë sezon. Miloti është rikthyer me një qëndrim të pabesueshëm”.
“Ai pothuajse duket sikur ka humbur yndyrën e trupit. Ai duket po aq në formë sa e kam parë unë dhe ka qenë vërtet i mirë në terrenin stërvitor. Kështu që nuk mund të vë në dyshim qëndrimin e tij në lidhje me angazhimin e plotë ndaj Norwich City në Champions”, ishte deklarata e Smith më 29 korrik.
Tani mbetet të shihet se çfarë do të bëhet me lojtarin, i cili deri vonë ka qenë i lidhur me një rikthim në Bundesliga, por kanë mbetur edhe dy ditë derisa të mbyllet afati kalimtar veror.