Letra e Kurtit për liderët e opozitës: Takimet sy më sy janë paraparë të mbahen nesër në ndërtesën e Qeverisë - NACIONALE

Letra e Kurtit për liderët e opozitës: Takimet sy më sy janë paraparë të mbahen nesër në ndërtesën e Qeverisë

12 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka ftuar sot liderëve e partive opozitare për takim. Partitë opozitare e kanë konfirmuar marrjen e ftesës zyrtare.

Gazeta Nacionale ka mësuar disa specifika të letrës së Kurtit drejtuar Bedri Hamzës, Lumir Abdixhikut dhe Ardian Gjinit.

Kryeministri në detyrë ka paraparë që kryetarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së t`i takojë ndaras, jo së bashku.

Këto takime, sipas letrës, janë parapara të mbahen nesër.

Burimet e mirëinformuara i kanë thënë Nacionales se takimet janë ftuar për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Ndonëse takimet janë thirrur që të flitet për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, ato janë paraparë të mbahen në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, në letër Kurti ka treguar disa orare se kur mund të realizohen këto takime.

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka bërë me dije se Albin Kurti sot ka ftuar në takim Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin.

Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të PDK, LDK dhe AAK”, ka deklaruar Manxhuka për Kanal 10.

Këtë veprim Kurti e ka bërë në ditën që ka nisur afati 30-ditor për fillimin dhe përmbylljen e suksesshme të seancës konstituive të Kuvendit.

Ndonëse afati kushtetues është i qartë se afati i fundit për përfundimin e kësaj seance është 7 gushti, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka treguar se cila do të jetë data e thirrjes së kësaj seance.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga KQZ-ja, dje ka reaguar Haxhiu.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë, ajo nuk ka përmendur asnjë datë së kur mund të thirret kjo seancë.

Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë. Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale. Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.

Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve. Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka shkruar Haxhiu.

Dje, Komisionin Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 47.13 % të votave, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44 % të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 16.69 % të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74 % të votave dhe shtatë mandate, ndërsa Lista Serbe ka fituar 5.40 % të votave.

Lajme të ngjashme