Belgjika e sfidon vendimin e FIFA-s për ta lejuar në lojë lojtarin amerikan Balogun - NACIONALE

Belgjika e sfidon vendimin e FIFA-s për ta lejuar në lojë lojtarin amerikan Balogun

1 orë më parë

nga Nasuf Abdyli

Federata e Futbollit e Belgjikës dëshiron një shpjegim nga FIFA për një vendim që lojtari amerikan, Folarin Balogun, të luajë në Kupën e Botës pavarësisht se është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen paraprake.

Belgjika do të luajë kundër Shteteve të Bashkuara të hënën për një vend në çerekfinale të Kupës së Botës, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Federata belge (RBFA) tha se nuk ka pranuar ende “vendimin e FIFA-s apo ndonjë shpjegim lidhur me këtë çështje. Në këto rrethana, nuk ka zgjedhje tjetër pos të sfidohet e drejta e lojtarit për ndeshjen në vijim”.

Federata belge e futbollit nuk saktësoi se ku synon që ta apelojë vendimin e FIFA-s.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndërhyri në emër të sulmuesit amerikan Balogun, të cilit iu hoq pezullimi përmes një vendimi që e lejon të luajë kundër Belgjikës.

Federata belge tha se ka marrë vesh përmes raportimeve të mediave për vendimin e FIFA-s dhe i ka dërguar organizatës një letër me të cilën i ka kërkuar një kopje të vendimit si dhe një shpjegim të procesit.

“Si përgjigje të saj të vetme, FIFA i dërgoi një letër RBFA-së ku deklaron se konsideron që kjo korrespondencë përbën apel, se një gjykatës është caktuar dhe se RBFA-ja kishte vetëm disa orë për ta kompletuar atë apel. Asnjë informacion, çfarëdo qoftë, nuk u ofrua nga FIFA” – thuhet në njoftim.

RBFA-ja këmbënguli se rregulloret e FIFA-s bëjnë të qartë se vendimi i arsyetuar së pari duket t’i komunikohet apeluesit.

“Përderisa RBFA-ja thjesht po kërkonte shpjegime legjitime, vetë FIFA krijoi një apel dhe menjëherë garantoi se ai do të shpallet i papranueshëm. E tërë kjo ndodhi përderisa FIFA në mënyrë të njëkohshme refuzoi që t’u përgjigjej kërkesave legjitime të RBFA-së” – tha Federata e Futbollit e Belgjikës.

Balogun, ylli i sulmit amerikan me tri gola të shënuara deri më tani në Kupën e Botës, mori karton të kuq, pasi ia shkeli këmbën lojtarit të Bosnjës, Tarik Muharemoviq në fitoren e së mërkurës, duke u pezulluar automatikisht me një ndeshje moslojë.

FIFA njoftoi të dielën se kjo masë ishte shfuqizuar për rundin e një të gjashtëmbëdhjetës së finales, vendim i jashtëzakonshëm që u çmua nga Trumpi, por që e zemëroi ekipin belg. Duket se kjo është hera e parë që nga viti 1962 që një karton i kuq gjatë Kupës së Botës nuk rezulton në pezullim./Nacionale

Lajme të ngjashme