Presidenti azer thotë se në Baku janë mbajtur bisedime sekrete gjermano-ruse
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha të martën se të dhënat e fluturimeve sugjerojnë se zyrtarë e ish-zyrtarë gjermanë e rusë kanë mbajtur një takim klandestin në Baku këtë muaj, në atë që ishte konfirmimi i parë i vizitave nga Azerbajxhani.
Ish-zyrtarët e lartë gjermanë, Ronald Pofalla dhe Matthias Platzeck, kanë qenë duke mbajtur takime sekrete me aleatë të rangut të lartë të presidentit rus, Vladimir Putin, përfshirë drejtorin e bordit të kompanisë “Gazprom” dhe ish-kryeministrin Viktor Zubkov e figura të sanksionuara nga BE-ja, në Baku që nga viti 2024, sipas një hulumtimi të përbashkët të mediumeve gjermane, “Die Zeit” dhe ARD, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Agjencitë gjermane të inteligjencës thonë se këto tubime janë operacion i ndikimit rus me qëllim që t’i jepet formë politikës gjermane, sipas mediave, ndërsa thuhet se pala ruse po mundohet që ta përçojë porosinë se lufta në Ukrainë mund të marrë fund vetëm sipas kushteve të Moskës dhe po eksploron se si mund të normalizohen marrëdhëniet dypalëshe pas përfundimit të konfliktit.
Duke folur pas një takimi në Berlin me kancelarin Friedrich Merz, presidenti azer tha se vendi i tij i kishte hetuar vizitat pasi kishte marrë vesh për to në raportimet e mediave.
“Ne nuk morëm informata për këtë as nga Gjermania, as nga Rusia. Me fjalë të tjera, territori ynë thjesht u përdor pa dijeninë tonë” – tha Aliyevi.
Sipas tij, të dhënat e fluturimeve tregojnë se Pofalla, i cili dikur e drejtonte zyrën e ish-kancelares Angela Merkel, dhe Platzeck-u, ish-kryetar i SPD-së, udhëtoi për në Baku më 12 korrik nga Berlini dhe u kthye më 14 korrik.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje që menjëherë t’i kontaktonte Pofalla-n dhe Platzeck-un për t’u kërkuar komente.
Azerbajxhani është munduar që të mbajë raporte me Moskën dhe Kievin që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 2022, duke i ofruar ndihma humanitare Ukrainës, por duke mos u bërë pjesë e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Megjithatë, marrëdhëniet me Moskën janë vënë nën trysni viteve të fundit, sidomos pasi mbrojtja ajrore ruse gabimisht rrëzoi një aeroplan azer të udhëtarëve në dhjetorin e vitit 2024, duke vrarë të paktën 38 njerëz./Nacionale