Armenia e miraton ligjin që ia kufizon diasporës të drejtën e votës - NACIONALE

Armenia e miraton ligjin që ia kufizon diasporës të drejtën e votës

1 orë më parë

nga Nasuf Abdyli

Kuvendi i Armenisë të premten miratoi një ligj që i ashpërson kriteret për të drejtën e votës për ata që jetojnë jashtë vendit, pas raportimeve se Rusia po bënte përpjekje që t’i shfrytëzonte armenët që jetojnë në territorin e saj për të ndikuar në zgjedhjet e muajit të kaluar.

Si shtet që dikur ishte republikë sovjetike, Armenia ka rreth 3 milionë banorë dhe diasporë të madhe jashtë vendit, përfshirë ata që jetojnë në Rusi, shtet që thotë se ka mbi 2 milionë punëtorë armenë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Partia e kryeministrit Nikol Pashinyan, Kontrata Civile, fitoi 49,8 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit. Deputetët e kësaj partie e hartuan shpejt pas zgjedhjeve projektligjin e ri, duke thënë se donin të siguroheshin që vetëm armenët që e njohin vendin për së afërmi dhe i kuptojnë sfidat e tij mund të votojnë.

Agjencia “Reuters” kishte raportuar në maj se Rusia po i intensifikonte përpjekjet e fshehta për ta minuar kandidaturën e Pashinyanit për një mandat të ri për shkak të shqetësimeve se ai po e afronte Armeninë me Perëndimin dhe po e largonte nga Moska.

Në skemë përfshiheshin plane për të transportuar drejt Armenisë dhjetëra mijëra armenë që jetojnë në Rusi për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, sipas intervistave me pesë zyrtarë të inteligjencës perëndimore dhe dokumenteve që i ka parë agjencia “Reuters”.

Rusia i ka quajtur këto akuza “mania e spiunazhit” dhe ka pretenduar se ka pasur shkelje në zgjedhjet që Pashinyani i fitoi kundër opozitës që kryesisht është pro-ruse.

Sipas ligjit të ri, shtetasit armenë mund të votojnë në zgjedhje të rregullta, vetëm nëse, 48 ditë para ditës së zgjedhjeve, ata kanë jetuar në Armeni për të paktën gjysmën e periudhës së dy viteve paraprake. Për zgjedhje të parakohshme, llogaritja do të bëhet duke filluar nga koha prej 28 ditësh para zgjedhjeve.

Një grup i organizatave të shoqërisë civile e cilësoi si antikushtetues legjislacionin e ri, duke thënë në një letër të hapur se ligji i ri “i rrezikon parimet demokratike dhe i shkel të drejtat politike të qytetarëve”./Nacionale

Lajme të ngjashme