“Reuters”: Emiratet e Bashkuara janë pajtuar për zhbllokimin e miliarda dollarëve për Iranin - NACIONALE

“Reuters”: Emiratet e Bashkuara janë pajtuar për zhbllokimin e miliarda dollarëve për Iranin

6 ditë më parë

nga Nasuf Abdyli

Emiratet e Bashkuara Arabe janë pajtuar që të zhbllokojnë miliarda dollarë për Iranin, i thanë katër burime agjencisë “Reuters”, në një ndryshim taktik pas disa javëve me sulme iraniane ndaj shtetit të pasur të Gjirit Persik gjatë luftës amerikano-izraelite kundër Teheranit.

Ky zhvillim, për të cilin nuk është raportuar më parë, përkon me fazat përfundimtare të bisedimeve më të gjera mes Teheranit e Uashingtonit për përfundimin e luftës, në të cilat, sipas diplomatëve, mund të përfshihet zhbllokimi i dhjetëra miliarda dollarëve nga të hyrat e ngrira të shitjes së naftës iraniane në banka të huaja sipas sanksioneve të ShBA-së.

Dy burime rajonale i thanë agjencisë “Reuters” se Emiratet e Bashkuara janë pajtuar që të lëshojnë gjithsej 10 miliardë dollarë, ndërsa më shumë se 3 miliardë dollarë nga ky fond tashmë janë dhënë.

Dy burime të tjera me njohuri rreth këtij procesi thanë se shuma e përgjithshme e fondeve të përfshira arri në 20 miliardë dollarë, duke shtuar se për këtë është arritur pajtim në këmbim të ndërprerjes së sulmeve iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara. Njëri nga burimet me njohuri rreth këtij zhvillimi gjithashtu tha se pjesa e parë prej 3 miliardë dollarësh tashmë është vënë në dispozicion.

Agjencia “Reuters” nuk mundi të përcaktonte nëse fondet e ndara për t’iu transferuar Iranit u përkasin Emirateve të Bashkuara apo e kanë prejardhjen nga llogaritë iraniane të bllokuara për një kohë të gjatë në sistemin bankar të Emirateve, apo vijnë nga ndonjë fond tjetër.

Një zyrtar i Emirateve të Bashkuara, kur iu kërkua koment rreth këtij transferi, tha se vendi i tij po mundohet që t’i ulë tensionet dhe ta ushqejë paqen.

“Politika e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe udhëhiqet nga promovimi i depërshkallëzimit dhe ulja e tensioneve në mbarë rajonin, ndërkohë duke i avancuar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm. Emiratet e Bashkuara i përkrahin përpjekjet, përfshirë ato që janë ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara, për t’i mbrojtur popujt e rajonit nga pasojat e konfliktit” – tha ai.

Irani për herë të fundit i sulmoi drejtpërdrejt Emiratet e Bashkuara Arabe më 4 maj.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment rreth këtij zhvillimi.

Në Uashington, nënpresidenti JD Vance tha të premten se Iranit nuk do t’i lëshohen fonde për nënshkrimin e një marrëveshjeje me ShBA-në apo për pjesëmarrje në një takim, duke shtuar se marrëveshja potenciale është e ndërtuar në atë mënyrë që të garantojë se Teherani do të ketë përfitime ekonomike vetëm nëse i përmbush detyrimet e veta.

Autoritetet iraniane nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment rreth zhvillimit.

Asnjëri nga burimet e cituara në këtë artikull nuk ka pranuar që të identifikohet për shkak të ndjeshmërisë së çështjes./Nacionale

Lajme të ngjashme