Ftesa e Kurtit për takime me opozitën: PDK e pranon, AAK "nuk e sheh të nevojshme", LDK ende duke e trajtuar
Vendi ka hyrë në orët e saj kushtetuese për të ndërtuar institucionet paszgjedhore për çka Albin Kurti i Vetëvendosjes ka ftuar liderët e partive opozitare për të biseduar për “formimin e të gjitha institucioneve.”
Këtë ftesë Kurti, tash i certifikuar si deputet, i ka ftuar liderët që takimi të mbahet në ndërtesë të Qeverisë së Kosovës në disa orare të propozuara.
Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se Bedri Hamza do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit “për të parë se çfarë zgjidhje konkrete” do të ketë Kurti si ofertë të tij.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në anën tjetër u lajmërua përmes kryetarit të tyre se nuk shohin arsye për takim, duke iu referuar gjashtë kushteve të tyre të artikuluara më 26 qershor, përmbushja e të cilave e bën që AAK të sigurojë praninë dhe votat e veta.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë ende duke e trajtuar ftesën e Kurtit ndërsa ende nuk janë deklaruar për media. Lutfi Haziri i LDK-së tha se Lumir Abdixhiku po e konsideron ftesën dhe se si parti nuk shohin asnjë opsion që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Hamza tha se në përgjigjen e tij ndaj Kurtit i ka thënë se është i gatshëm për takim në ora 09:00, por jo në ndërtesë të qeverisë. Takimi, sipas tij, duhet të ndodh në ambiente të Kuvendit të Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare që i drejtohet dhe konsideron se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me përgjegjësi, prandaj kryetari Bedri Hamza do t'i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e nesërm, që të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje konkrete ofron z. Kurti për tejkalimin e krizës institucionale,” thanë nga PDK-ja.
Ndërkaq Gjini publikoi përgjigjen e tij drejtuar Kurtit.
“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik,” tha Gjini derisa publikoi edhe letrën.