Mbi 330 mijë nxënës munguan në shkolla në Angli pas fitores kundër Meksikës
Rreth 332 mijë më pak fëmijë shkuan në shkolla të hënën në mëngjes në Angli në krahasim me një javë më parë, sipas shifrave fillestare, pasi vijueshmëria në mesin ra pas fitores së Anglisë kundër Meksikës në Kupën e Botës në futboll me rezultat 3 me 2.
Pjesëmarrja në mësim ra për më shumë se 3 për qind në krahasim me javën paraprake, pasi trajneri i kombëtares angleze, Thomas Tuchel, i këshilloi prindërit që “të shkruanin një arsyetim për shkollë dhe t’i lënë ata [fëmijët] të shikojnë [futboll]”, raporton gazeta “The Guardian”.
Të dhënat e mbledhura në regjistrin e mëngjesit nga më shumë se 12 mijë shkolla publike në Angli treguan se prania e nxënësve të hënën ishte 89,79 për qind, në krahasim me të hënën e kaluar, kur ishte 93,09 për qind. Këtu nuk bëjnë pjesë nxënësit e klasave 11 dhe 13, shumica prej të cilëve tashmë e kanë përfunduar mësimin.
Shifrat ende nuk janë konfirmuar nga Departamenti i Arsimit, por sipas të dhënave të grumbulluara në kohë reale përmes sistemit të menaxhimit të informatave “Arbor”, që përdoret nga më shumë se gjysma e shkollave në Angli, mungesat pa arsye pothuajse u dyfishuan, nga 2,92 për qind javën e kaluar në 5,61 për qind këtë javë.
Sipas të dhënave, nxënësit më të rritur munguan më shumë të hënën në mëngjes. Vijueshmëria e nxënësve të klasëve të nënta ra për më shumë se 10 për qind ose rreth 66 mijë nxënës më pak.
Një zëdhënës i Departamentit të Arsimit tha: “Kupa e Botës po e bën bashkë tërë vendin dhe shkollat janë në zemër të kësaj feste. Nuk ka vend më të mirë për nxënësit që ta ndajnë ngazëllimin, të gëzohen së bashku dhe të krijojnë kujtime që do të zgjasin me shokët e tyre.”