FFK: Tentuam për Ardon Jasharin, por sot e pamë që shkoi te Zvicra - NACIONALE

FFK: Tentuam për Ardon Jasharin, por sot e pamë që shkoi te Zvicra

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka tentuar të bind mesfushorin e talentuar Ardon Jashari që t’i bashkohet Kosovës, por gjatës ditës së hënë lojtari pranoi ftesën e Zvicrës, kështu thotë drejtori Muharrem Sahiti në një bisedë për gazetën Nacionale.

Kombëtarja e Zvicrës përmes një komunikate zyrtare ditën e hënë konfirmoi se Jashari do të jetë prurja e re te ekipi A, duke zëvendësuar të lënduarin Noah Okafor.

Sidoqoftë, para se t’i bashkohej Zvicrës, FFK provoi ta bind që të vinte të luante për fanellën ‘dardane’, mirëpo që fatkeqësisht bisedimet mesa duket nuk rezultuan të suksesshme.

Drejtori i Kosovës, Muharrem Sahiti për Nacionalen tregon se ishte menaxheri Bajram Shala që ka diskutuar fizikisht me Jasharin, por që gjatës ditës së sotme panë që lojtari kishte pranuar ftesën e Zvicrës.

Po, ne kemi biseduar me Ardon Jasharin. Nuk kanë qenë vetëm kontakte, por ka pasur edhe takim fizik mes tij dhe menaxherit tonë (Bajram Shalës). Sinjalet e para ishin mjaftë pozitive, por tani e pamë që ka pranuar ftesën e Zvicrës. Çfarë të bëjmë na...”, shprehet shkurtimisht Sahiti pasi u pyet për lojtarin.

Ftesa e papritur e Zvicrës për Jasharin

Federata e Zvicrës vendosi në momentet e fundit që ta ftojë Jasharin pasi u konfirmua lëndimi i Okafor.

Përmes një komunikate për media, "Helikët" bënë të ditur se 20-vjecari do t'i bashkohet skuadrës.

"Përzgjedhësi i kombëtares Murat Yakin ka vendosur alternativën me një prurje të re. Ardon Jashari do t’i bashkohet skuadrës të hënën. 20-vjeçari mesfushor është zëvendëskapiten i FC Luzernit", shkruhet në komunikatë.

Kësisoj, kjo lloj “historie” është vetëm duke vazhduar me Jasharin që i shtohet listës së lojtarëve që zgjedhë Zvicrën para Kosovës.

Sa nuk ishim të pranuar në UEFA dhe FIFA, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Valon Behrami luajtën për Zvicrën, ndërsa kjo u vazhdua së fundmi me Andi Zeqirin dhe Kastriot Imeri, dyshja që nuk u ftuan fare.

“Non-grata” e “Dardanëve” edhe kishte nënshkruar parakontratë me Kosovën, derisa Imeri nuk e konsideroi fare me agjentin e tij Gëzim Ibrahimi që e thoshte hapur që Kosova është një ‘gomë rezervë’ për lojtarët.

Një ndër më të mirët te Luzern në edicionin e kaluar

Kështu, Jashari bëhet lojtari i radhës nga Kosova që zgjedhë fanellën e Zvicrës.

Ai edicionin e kaluar ishte i hatashëm te Luzerni, ku edhe është ish-kapiten duke bërë 34 paraqitje në të gjitha garat, duke realizuar pesë gola dhe dhuruar tre asistime në përgjithësi brenda 2 mijë e 885 minutave në fushë.

Në anën tjetër, me këtë formë është duke vazhduar edhe këtë edicion, ku deri më tani ka regjistruar tetë paraqitje duke dhuruar dy asistime brenda 704 minutave.

Lajme të ngjashme