Shqipëria s’heq dorë nga Drilon Hazrollaj, por lojtari preferon Kosovën
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është ende duke provuar ta bind sulmuesin e Malishevës Drilon Hazrollaj, por që ky i fundit vazhdon ta preferojë kombëtaren e Kosovës.
Në rrjetin social “Twitter” së fundmi u raportua se Hazrollaj ka zgjedhur ta përfaqësojë Shqipërinë dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë lojtari do të jetë në listën e Sylvinhos për ndeshjet e muajit nëntor.
Megjithatë, Gazeta Nacionale me burime pranë lojtarit merr vesh se Hazrollaj preferon Kosovën, andaj nuk po e konsideron kalimin te Shqipëria pavarësisht që ia lejon rregullorja.
“Driloni (Hazrollaj) ka të drejtë ta përfaqësojë Shqipërinë, mirëpo për momentin e preferon Kosovën. Ata (Shqipëria) ka mbi një vit që e duan Drilonin dhe vazhdojnë të provojnë ta bindin mirëpo lojtari preferon Kosovën”.
“Aktualisht Driloni është i fokusuar te Kosova dhe mund të vazhdojë ta përfaqësojë në rast që edhe Kosova e do Drilonin kuptohet”, thotë burimi në kushte anonimiteti.
Drilon Hazrollaj është ftuar në tre miqësore te Kosova (kundër Armenisë, Hungarisë dhe Norvegjisë), sidoqoftë nuk ka zhvilluar as edhe një minutë në fanellën “Dardane”.
Në të tre ndeshjet, Hazrollaj u la në stol ndërsa që nga muaji qershor i vitit 2024 ka qenë vetëm në listën e gjerë të përzgjedhësit Franco Foda, i cili ka preferuar lojtarë të tjerë në atë pozitë.
Përndryshe, 20-vjeçari këtë edicion për Malishevën ka zhvilluar gjashtë paraqitje duke regjistruar dy gola dhe një asistim. Aktualisht ai është ndër lojtarët më të vlefshëm në kampionatin kosovar, ku kartoni i tij shkon në vlerën e 750 mijë eurove.