Lëndimi rrezikon ta lë jashtë listës së Kosovës, por paraqitja e fundit e Muric ishte drithëruese - NACIONALE

Lëndimi rrezikon ta lë jashtë listës së Kosovës, por paraqitja e fundit e Muric ishte drithëruese

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Aro Muric edhe dje ishte në nivel të detyrës, duke kontribuar në fitoren e Burnley me rezultat 2:0 kundër Millwall. Forma e tij e mirë është e padiskutueshme, edhe pse lëndimi që pësoi është brengosës edhe për Kosovën.

Në të kaluarën përvoja në Nottingham Forest për Aro Muric nuk ka qenë prej më të mirave në divizionin e dytë anglez, në Championship. Për dikë ai sezon i 2019/2020 interpretohej si dëshmi e një mospërgatitjeje të portierit kosovar për të luajtur në një kampionat të tillë, i cili veçohet për intensitetin e lartë.

Sido që të jetë, me aq sa duket huazimi tek Adana Demirspor në sezonin që lëmë pas i ka bërë mirë portierit 23-vjeçar, pasi ka bërë progres, duke rritur edhe shkallën e përformancës brenda katërkëndshit të portës.

Këtë më së miri e demonstrojnë paraqitjet me Burnleyn gjatë fillimit të edicionit të sivjem. Vincent Kompany e dëshiroi me çdo kusht që ta kishte në radhët e veta, duke pasë parasysh edhe raportet e mira që ka me ish-klubin e tij Manchester City, i cili e zotëron akoma kartonin e Muricit.

Paraqitja e mrekullueshme kundër Millwall

Burnley shënoi një fitore shumë të rëndësishme gjatë mbrëmjes së djeshme kundër Millwall me rezultat 2:0. Sigurisht që protagonist në këtë triumf ka qenë edhe portieri i Kombëtares së Kosovës, Aro Muric.

Ai ishte një shtyllë për Burnleyn, duke bërë pritje vërtet domethënëse, të cilat u treguan edhe vendimtare për rrjedhën që mori loja.

Zhvillohej minuta e 15-të e ndeshjes kur Aro Muric bëri një shkëputje të jashtëzakonshme, duke parandaluar golin e disavantazhit nga skuadra rivale londineze, duke pritur për mrekulli gjuajtjen e Flemming nga goditja e lirë. Aro Muric mori duartrokritjet e të pranishmëve që ishin në shkallët e stadiumit.

Gjersa rezultati i ndeshjes vijonte të ishte i barabartë, me portat që mbetëshin të patundura, 23-vjeçari vazhdoi të ishte syhapur, për të mos u lënë mysafirëve asnjë rast që të befasonin portën e mbrojtur nga ai.

Në minutën e 55-të e bëri një pritje po aq kruciale, duke mundësuar që skuadra të vazhdonte të mbetej në lojë, për të shpresuar zhbllokimin e rezultatit në favorin e vet. Fantazisti Flemming sërish goditi nga distanca, por edhe një herë Muric lexoi mirë trajektoren e topit, duke devijuar atë në këndore.

Falë këtyre pritjeve, Burnley më në fund gjeti golin e epërsisë pas shtatë minutave, përmes Vitinhos. Dyfishimi i epërsisë erdhi dhjetë minuta më vonë me anë të sulmuesit Rodriguez.

Megjithatë, Aro Muric ia doli të qëndrojë në fushë vetëm deri në minutën e 68-të, pasi pësoi një lëndim në shpatullin e dorës së majtë.

Në tërësi ai ishte 100% efikas në pritjet e tij. Për më tepër, lexoi me sukses të gjitha harkimet në drejtim të portës së tij, ashtu sikurse edhe pasimet që rodhën në thellësi të zonës së ngushtë të Burnleyt.

Edhe gjatë ndeshjes së mbrëmshme portieri kosovar tregoi se lojën me këmbë e ka tipar që e zotëron mirë. Ai regjistroi 25 pasime, ku 92% prej tyre ishin të sakta. Atij nuk i munguan edhe pasimet me duar, të cilat i ka mjaft të shprehura, duke i bërë disa sosh: tri nga afërsia dhe gjashtë tjera nga distanca. Në të gjitha rastet topat shkuan në destinacion me sukses, duke treguar një saktësi empirike, për çdo lakmi.

Të gjitha këto parametra janë tregues i përmirësimit progresiv, ndryshe nga e kaluara që kishte shumë luhatje.

Sa pritet të mungojë Aro Muric?

Zakonisht, në vijë të përgjithshme, kohëzgjatja që nevojitet për një sportist që të rikuperohet nga lëndimi në shpatull zgjat prej gjashtë deri në tetë javë.

Sidoqoftë, kohëzgjatje nga rikuperimit varet edhe nga shkalla e lëndimit se sa do të verifikohet, pasi portieri kosovar t'i ekzaminohet kontrollave të detajuara mjekësore.

Kjo nënkupton se ai nuk do të mund të jetë në gatishmëri për dy ndeshjet e fundit që ka në program Kombëtarja e Kosovës në kualifikimet për Ligën e Kombeve, kur do të luajë më 24 shtator kundër Irlandës Veriore dhe Qipros tre ditë më vonë në "Fadil Vokrri".

Prononcimi i Kompanyt rreth lëndimit të Muric

Pas përfundimit të ndeshjes, i intervistuar nga gazetarët, trajneri belg, Vincent Kompany, shprehi zemërimin e tij për lëndimin e Muric.

"Shpresoj që nuk do të ketë dëmë strukturale. Muric ka qenë fantastik për ne. Kështu që, shpresojmë që do të rikthehet shumë shpejt"
, deklaroi ai.

Deri më tani Aro Muric me fanellën e Burnleyt ka luajtur titullar në të gjitha gjashtë sfidat kampionale, duke mundësuar përmes pritjeve të tij që porta e skuadrës të mbetej e paprekur.

Burnley deri më tani renditet në pozitën e tretë tabelare, me 12 pikë të grumbulluara, dy më pak se Sheffield United që kryeson në renditje dhe një më pak sesa Norwich.

Lajme të ngjashme